Veliaj: E mbajtëm fjalën, ia kthyem banorëve
Fusha e sportit në Laprakë është gati të presë fëmijët dhe të rinjtë që të stërviten. Në inaugurimin e këtij investimi kryebashkiaku Veliaj solli në vëmendje kohën kur në këtë fushë pretendohej të ndërtoheshin pallate, ndaj e konsideroi rikontruksionin një premtim të mbajtur.
“Një duartrokitje për të gjithë ata që besuan se bashkia do e mbante fjalën, se fusha do u kthehej banorëve, se këtu nuk do të bëheshin pallate dhe se këtu do rrisim kampionët e Laprakës, Tironës dhe gjithë Shqipërisë. Jam shumë mirënjohës që në një vend të vështirë si Shqipëria, si Tirana, ku të gjithë i shohim gjërat me dyshime, ku të gjithë jemi cinikë, jemi skeptikë, ku mendojmë se çdo gjë është me të futme, treguam se nuk është kështu”, tha Veliaj.
Por investimet për Laprakën nuk ndalen këtu.
“Kemi mbajtur çdo fjalë që kemi thënë për Laprakën para 5 vitesh. Edhe për shkollat e reja. Po bëhet shkolla e re në “Don Bosko”, po bëhet shkolla e re tek rrethrrotullimi “Shqiponja”. E kemi mbajtur fjalën edhe për fushën, edhe për kinemanë, edhe për ndërhyrjet në çdo lagje. Jam i bindur se e mira s’ka fund”.
Fusha e vjetër e Laprakës është rehabilituar dhe tashmë ka funksionin e një fushe sipas standardeve sportive.
Tv Klan