Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pa kaluar më shumë se dy muaj në postin e kreut të doganave shqiptare, Ferdinand Papadhima ka dhënë dorëheqjen, me motivin, se emri i tij nuk duhej të bëhej pengesë e reformave në administratën doganore.

Ministri i Financave Kastriot Islami, ka bërë publike dorëheqjen që Papadhima ia ka paraqitur edhe kryeministrit Fatos Nano, në një konferencë për shtyp, ku për rreth 20 minuta ka përsëritur ato që pak ditë më parë, në një tjetër konferencë shtypi, deklaruan zëvendës ministrja Adriana Berberi, drejtori i përgjithshëm i tatimeve Shpëtim Idrizi dhe vetë Papadhima, lidhur me arritjet e dy mujorit në realizimin e të ardhurave.

Në fund Ministri i Finacave Islami, pasi dha lajmin e ikjes së kreut të doganave, u shpreh, se e ka pranuar dorëheqjen e drejtorit Papadhima, i cili do të zëvendësohet nëpërmjet konkursit.

Kastriot Islami:- “Më ka vënë në dispozicion drejtori i përgjithshëm i doganave dorëheqjen e tij, dorëheqje të cilën ia ka vënë në dijeni edhe zotit kryeministër dhe kjo dorëheqje bazohet kryesisht në situatën e krijuar në lidhje me emërimin e tij si drejtor i përgjithshëm i doganave, spekulimet e politikës dhe të mediave, në lidhje me të shkuarën, gjoja me probleme dhe si duke vlerësuar, që emri i tij nuk ka pse të vazhdojë të shfaqet si pengesë artificiale, për mbarëvajtjen e punës dhe zhvillimin e reformave në administratën doganore. Më tej, kërkon mirëkuptimin për vendosjen në dispozicion të dorëheqjes së tij dhe me këtë rast dëshiron të çlirojë veten nga çdo lloj mbrojtje zyrtare që i jep kjo detyrë, duke vazhduar ta kërkojë të drejtën e tij, si qytetar i lirë, në organet e drejtësisë, pa pasur konflikt interesash me postin e përgjithshëm të doganave. Po kështu ai shpreh vullnetin, se deri në emërimin e drejtorit të ri, do vazhdojë të punojë me përgjegjësi, në drejtimin e drejtorisë së përgjithshme të doganave. Unë e kam pranuar dorëheqjen e tij dhe jam në ndjekjen të gjithë vazhdimësisë së punës në drejtorinë e përgjithshme të doganave”.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Ferdinand Papadhima u ul në karrigen e doganave shqiptare në ditët e para të Janarit pas largimit të Sokol Krajës, për shkak të mos realizimit të të ardhurave në dogana. Emërimi i Papadhimës solli jo vetëm reagimin e spektrit të djathtë politik, por edhe të medias, për shkak të dyshimeve mbi pastërtinë e figurës së tij. Shqetësimi lidhur me emërimin e kreut të doganave u shpreh edhe nga bordi i drejtorëve në Washington, të cilët shtyn dy herë radhazi firmosjen e marrëveshjes financiare midis Shqipërisë dhe FMN-së./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja