“Tubimi Kombëtar” i ekstremit të djathtë po e merr si të mirëqenë elektoratin francez. Kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron dy ditë përpara se vendi të shkojë në zgjedhjet parlamentare.
“Çfarë arrogance! I gjithë debati sot është bërë sikur “Tubimi Kombëtar” i ekstremit të djathtë të ishin tashmë në qeveri. I kërkova popullit francez të ushtronte sovranitetin e tij. Por ajo që duhet të bëjmë ne është që të ruajmë vlerat e këtij kombi.”
Partia “Tubimi Kombëtar” ka propozuar që francezët me shtetësi të dyfishtë duhet të ndalohen nga disa poste administrative. Një nga ligjvënësit e tyre në largim shkoi më tej duke thënë se një ish-ministër arsimi me shtetësi të dyfishtë francezo-marokene nuk duhej të ishte emëruar kurrë.
“Kjo parti po qëndron në diskursin e pafrenuar të ditëve të fundit, racizmi, antisemitizmi i pafrenuar, është një tradhti e thellë e asaj që është Franca, vlerave të saj, republikës sonë”, u shpreh Macron.
Por udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen iu kundërpërgjigj presidentit francez Emmanuel Macron për komentet e tij që synonin të paralajmëronin votuesit që të mos votonin “Tubimin Kombëtar” të ekstremit të djathtë dhe aleancës së majtë, duke aluduar në racizëm dhe antisemitizëm.
“Emmanuel Macron po tregohet i egër, ai është ende President i Republikës dhe do të jetë akoma nesër. Unë mendoj se mënyra në të cilën ai kërkon të ofendojë disi ata që nuk votojnë për të nuk i përshtatet idesë që ka për pozicionin e një presidenti të Republikës, i cili në të gjitha rrethanat duhet të mbetet president i të gjithë përfshirë ata që nuk votojnë për kampin e tij.”
Një sondazh i publikuar në gazetën Les Echos tregoi se partia franceze e ekstremit të djathtë u rrit më tej në parashikimin e saj dhe mund të marrë deri në 37% të votave popullore, dy ditë përpara raundit të parë të votimit në zgjedhjet parlamentare. Rezultati përfundimtar do të dihet pas një raundi të dytë të votimit më 7 Korrik pasi sipas ekspertëve është e vështirë të parashikohet në fazën aktuale.
Klan News