Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe këtë po e hedh në zbatim edhe LeBron James. Gjiganti i koshit amerikan nuk tregon limite, duke dhuruar një tjetër performancë fantastike në parket. Në pragun e festimit të 40-vjetorit të lindjes, “Mbreti’ u bë lojtari më i vjetër në historinë e NBA që kompleton dy trible-double radhazi.

LeBron James ndihmoi Los Angeles Lakers për të shënuar fitoren e dytë radhazi, 123-103 ndaj Torontos. Pikëshënuesi më i mirë në historinë e koshit në NBA realizoi 19 pikë, 10 rebaund dhe 16 asistime, duke udhëhequr ekipin drejt fitores. Ky ishte trible-double i tij i tretë në këtë sezon dhe i 115 -ti në karrierë.

Formë që kënaq edhe skuadrën, me Lakers që fituan sfidën në periodën e katërt dhe të fundit. Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi ndaj Torontos, duke e shndërruar në “prenë” e preferuar në vitet e fundit. Në parket zbriti edhe djali i LeBron James, Bronny, por që nuk shënoi në ato dy minuta lojë.

Klan News