Legalizimi i dokumenteve në ambasadën greke nuk do të jetë më i vështirë. Zgjidhja vjen nga Posta Shqiptare, e cila ka marrë përsipër legalizimin e dokumenteve pas një marrëveshje të arritur me përfaqësinë diplomatike të vendit fqinj në Tiranë.

Posta Shqiptare ofron këtë shërbim jo vetëm në kryeqytet, por në të gjitha filialet e saj në të gjithë Shqipërinë, çka i jep fund pritjeve të gjata dhe procedurave burokratike.

Fadil Smajlaj: “Këto dokumente do të paraqiten në dy kategori, një kategori e dokumenteve kur paraqitet vetë i interesuari, i cili përveç dokumenteve të paraqesë edhe një fotokopje të pasaportës së tij, ndërsa për aktet kur personi nuk është prezent të gjithë qytetarët janë të lutur që do të marrin nga një notë verbale në policinë greke, pra do të autorizojnë një person të familjes së tyre me një dokument të legalizuar pranë policisë greke ose autoriteteve të bashkisë greke ku qytetarët shqiptarë jetojnë në Greqi”.

Me vetëm 380 lekë të reja ofrohet ky shërbim për qytetarët në rrethe dhe 240 lekë për ato në kryeqytet. Shërbimi është i garantuar.

Një marrëveshje e ngjashme u nënshkrua disa muaj më parë mes Postës Shqiptare dhe Ministrisë së Jashtme, e cila rezultoi e suksesshme./tvklan.al

Gazetare: Edian Gjoni