Ministria e Turizmit, Kulturës Rinise dhe Sporteve do të ketë si zëvendës ministër të Turizmit, Nikollë Lesi, një nga figurat mediatike më të hershme në historinë e re të pluralizmit të pas viteve ‘90.

Me marrjen e detyrës së re, Lesi ka premtuar përpara medias përkushtimin e tij në çështjet e turizmit si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë në vend.  

Nikollë Lesi: “Mendoj që turizmi që ministri e përcaktoi si degë që do mbulojë këtë ministri, do jetë jo vetëm prioritet i mi, siç është dhe i qeverisë dhe strategjisë së kësaj qeverie. Por do punoj me shumë pasion dhe këmbëngulje për të avancuar në thithjen e shumë kompanive të mëdha ndërkombëtare në fushën e turizmit. Do jem shumë, shumë, shumë 3 herë e thashë, korrekt me ligjin dhe me vetveten”.

Zhvillimi i turizmit është renditur nder prioritetet e kësaj mazhorance edhe në mandatin e shkuar qeverisës.

Numri i turisteve gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm, duke shtuar kështu edhe të ardhurat nga ky sektor./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani