Teksa bëri bilancin e gjithë sezonit turistik të verës për këtë vit, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj prezantoi propozimet e ministrisë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend.

Ndër propozimet ajo përmendi ndarjen e vendit në gjashtë rajone për sa i përket zhvillimit të turizmit, duke treguar për secilin rajon veçoritë dhe atraksionet turistike.

Mirela Kumbaro: 6 rajone turistike në vend, mënyra se si ne propozojmë ta ndajmë zhvillimin e turizmit në vend. Rajoni i parë është rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut që ka një aset të jashtëzakonshëm natyrisht detin Adriatik, por ka gjithashtu edhe laguna, thesare të trashëgimisë kulturore që janë kthyer tashmë në ambasadorë të zhvillimit të turizmit shqiptar për të rinj nga e gjithë bota. Rajoni i dytë që ne propozojmë, është rajoni turistik i brendshëm i cili mbart potenciale të mëdha të turizmit malor dhe të një trashëgimie kulturore të jashtëzakonshme, duke u ofruar sot të gjithëve mundësinë e shijimit të parkut të Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë për të cilin kemi projekte shumë të mëdha qoftë me agjencitë qeveritare , qoftë me bashkitë në vend. Rajoni i tretë është rajoni turistik i Tiranës, në këndvështrimin tonë Tirana e meriton që të jetë një ndarje më vete për fizionominë që ka marrë Tirana si një hapësirë metropolitan, ku sinkronizohen në çdo cep vetëm energji pozitive dhe rinore duke kombinuar histori dhe trashëgimi me arkitekturën moderne me turizmin e eventeve dhe konferencave.

Rajoni katërt turistik është rajoni turistik qendror, pra gjithë pjesa e Elbasanit, Librazhdit për të gjitha pasuritë natyrore objektet e trashëgimisë kulturore si kështjellat dhe objektet e kultit. Rajoni i pestë është rajoni turistik i bregdetit Jon, është një ndër zonat ku si produkte parësore edhe si perceptim kolektiv ka pasur detin, është formati perfekt për të zhvilluar formate turistike të shumta shto këtu edhe arkitekturën unike të fshatrave të jugut që tashmë i kemi kthyer në destinacione gjithëvjetore., pa harruar ofertën e shtuar në turizmin detar. Marina e Orikumit ajo e Vlorës që po ndërtohet, dhe sigurisht do të jetë revolucion i shumë pritur me ndërtimin e aeroportit. Rajoni i gjashtë turistik, është ai jugor i brendshëm. Qarku i Korçës, i Gjirokastrës deri në thellësi të Labërisë ku bashkohet me Vlorën dhe Himarën është një kuti thesaresh me parqe arkeologjike me site, kemi dy qytete të UNESCO-s, Beratin dhe Gjirokastrën dhe pazaret e vjetra nga ai i Korçës dhe deri tek i Gjirokastrës, kalatë e Ali Pashait dhe të mos harrojmë se është një rajon me katër pasaporta të UNESCO./tvklan.al