Shkolla 9-vjeçare “Kosova” në lagjen Besëlidhja të Lezhës u trondit gjatë paradites nga një ngjarje e rëndë. Një 14-vjeçar, nxënës i klasës së tetë u plagos me pistoletë nga shoku i tij. Të shokuar nga ngjarja nxënës dhe mësues thonë se gjithçka ndodhi në pushimin e orës së tretë, kur pjesa më e madhe e fëmijëve ndodheshin në korridoret dhe oborrin e shkollës.
Nxënësja: “Në vendngjarje nuk ishim, thjeshtë ishim duke dal nga pushimi, veç kur i pamë të mbledhur të tanë. Ai djali, shoku ynë i klasës u fut në makinë dhe e çojnë të dy presorat”.
Nxënësja: “Shpresoj që ai djalë të mos e ketë pas seriozisht, ta ketë bërë pa dashje sepse ato të dy ishin shokë të ngushtë. Por nuk e dimë”.
Mësuesja: “Në pushim të madh, ne si drejtori organizuam një takim të shkurtër më mësuesit për problemet e klasave të 9-ta. Në këtë kohë, mësuesi dëzhurn ka qenë në katin e 3. Atje në katin e 3-t vjen shumë i alarmuar nga incidenti që ndodhi me këtë nxënës”.
Sipas dëshmive të nxënësve, 14-vjeçari me iniciale M.M e shkrepi armën vetëm një herë dhe më pas u largua për tu fshehur nga frika e policisë. Ata tregojnë se ishte bërë e zakonshme që bashkëmoshatarë të tyre të vinin të armatosur në shkollë, gjë që hidhet poshtë nga mësuesit.
Mësuesja: “Në mënyrën më absolute. Mund të them në të vetmen shkollë që neve nuk kemi pasur asnjë lloj problemi”.
Gazetarja: Ju keni parë ndonjë rast që bashkëmoshatarët tuaj e kanë mbajtur armën në shkollë?
Nxënësja: “Ka pasur raste, por nganjëherë dhe thonin se janë kshu për lodra se i mbanin thjeshtë për kot, kshu po jo se na thonin që ishin taman të vërteta”.
Ndërkaq policia edhe njëherë është gjendur e papërgatitur për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Në deklarimin zyrtar të saj thuhet se ngjarja ndodhi për shkak të pakujdesisë së nxënësve, duke mos dhënë asnjë shpjegim për futjen e armëve të zjarrit në ambientet e shkollave.
“Pa pasur sinjalizime nga drejtoritë e këtyre shkollave. Shërbimet e policisë nuk mund të ushtrojnë kontrolle të brendshme të drejtpërdrejtë tek këta nxënës”.
Gjendje shëndetësore e 14-vjeçarit të plagosur ka detyruar mjekët e spitalit të Lezhës, ta dërgojnë atë në spitalin ushtarak në Tiranë. Ai ka marrë një plumb në pjesën e legenit dhe për këtë i është nënshtruar operacionit. Zv/ministri i arsimit e ka cilësuar këtë si një rast alarmant, ndërkohë që pranë familjarëve është gjendur e dhe deputeti i zonës Preç Zogaj.
Preç Zogaj: “Një lojë para adoleshentësh që për fat nuk ka përfunduar në tragjedi. Mjekët e spitalit ushtarak po tregojnë maksimumin e kujdesit”.
Halit Shamata: “Është një kujtesë për të siguruar së bashku me strukturat përkatëse rregullin normalitetin në shkollat tona”.
Mësohet se dy adoleshentët përveçse shok shkolle ishin dhe lojtarë të së njëjtës skuadër futbolli në qytetin e Lezhës./tvklan.al