I munguar prej vitesh në vendin që i dha emrin e madh, monumenti i At Gjergj Fishtës, kolosit të letrave shqipe, tani do të jetë pjesë e pandashme e qytetit të Lezhës, dhe sigurisht panorama e parë e vizitoreve të ndryshëm.

Busti i Fishtës, i konsideruar si Homeri shqiptar, është realizuar nga skulptori Ilmi Kasmi. Busti është vendosur në sheshin kryesor të qytetit dhe është inauguruar nga Ministri i Turizmit, Turku, që së bashku me kryetari i bashkisë, e kanë perceptuar këtë ditë si një ngjarje të veçantë, duke shprehur një mirënjohje të thellë për jetën dhe veprën e autorit, që gjithnjë dhe gjithmonë ia kushtoi Shqipërisë dhe kauzës së saj.

Ardian Turku: “Sot Lezha është qyteti që krahas vlerave të qenësishme të trashëgimisë sonë kulturore, mbart dhe kujtimin e 2 titanëve të mëdhenj të identitetit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe At Gjergj Fishtës. Në këtë kohë reflektimi dhe vlerësimi për atë të kaluar që tashmë ka krijuar ndërgjegje tek të gjithë ata që jetuan, le të përkulemi me nderim ndaj asaj vepre të  madhe në përmasa mbi njerëzore me anë të së cilës u krijuan profilet e epokës së tyre, i kohëve të sotme dhe pa dyshim i asaj që ne të gjithë aspirojmë një Shqipërie evropiane”.  

Viktor Tushaj: “Një detyrim moral qytetar dhe patriotik i ndaj kësaj figure. Por jam i bindur se në dimensionin e tij poliedrik ai i bën nderë qytetit tonë Lezhës. Bekuar qoftë Fishta që lindi, Lezha dhe Shkodra që e rritën dhe e edukuan, i përjetshëm do të jetë në shekuj emri dhe vepra e Gjergj Fishtës e kësaj figure monumentale të popullit shqiptar”.

Në një ditë të veçantë siç është nderimi për figurën e At Gjergj Fishtës, sallës qendrore në bibliotekën e qytetit të Lezhës i është dhënë emri At Gjergj Fishta.

Në këtë sallë janë prezantuar të hedhura në letër jeta dhe vepra e kolosit shqiptar të letërsisë. Kjo sallë ka në brendësi të sajë shkrimet e Fishtës dhe pjesë të gdhendura nga vepra e tij artistike./tvklan.al