Ndërtimi i rrugës kryesore në lagjen Nënë Tereza të Lezhës ka shkaktuar probleme të shumta për familjet dhe bizneset përgjatë saj.
Zbatimi i projektit ka bllokuar hyrje-daljet në dy anët e rrugës, duke penguar aktivitetin e banoreve dhe bizneseve të zonës. Kjo për shkak të kufizueseve të betonit të vendosura në të gjithë gjatësinë e saj.
Arta Meçi: “Nuk e di se pse janë vendosur ato bordura, nuk e di se pse e pengojnë hyrjen e fabrikës disa bordura që janë të vendosura sepse ne kemi 12 vjet dhe jemi një fabrikë që është e miratuar dhe e përkrahur nga qeveria dhe s’kemi pasur asnjëherë probleme të tilla.”
“I kanë bërë trotuaret shumë të gjerë. Nuk ishte e nevojshme që puna të kryhej në këtë mënyrë. Në këtë moment kamionët tanë nuk mund të dalin e të hyjnë.”
Kryetari i bashkisë së Lezhës premton zgjidhjen e problemit, çka sipas tij kërkon rishqyrtimin të projektit.
Viktor Tushaj: “Unë sot jam këtu pikërisht edhe për të parë mundësinë reale të zhbllokimit të kësaj situate pasi nuk mund të bëhet vetëm me autoritetin e kryetarit të bashkisë. Kjo duhet bërë nga shumë faktorë të cilët është studio projektuese, është edhe agjencia e prokurorimit publik, e cila ka prokuruar tashmë një fond në bazë të një projekti. Do të arrijmë në një zgjidhje optimale për të gjitha palët.”
Por pavarësisht se ky premtim është bërë dhe më parë zgjidhja e problemit duket ende larg.
Punimet në këtë rrugë vijojnë sipas projektit ekzistues duke mbajtur të izoluar dhjetëra familje e biznese që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë. /tvklan.al