Po kthehet në një traditë tashmë që më 17 shkurt në Prishtinë të luhet një ndeshje futbolli për nder të pavarësisë.
Në ditëlindjen e dytë të shtetit më të ri u luajt një ndeshje mes një përfaqësueseje shqiptare të përbërë nga futbollistë nga kampionati kombëtar dhe një përfaqësueseje të Kosovës.
Takimi u fitua 3-2 nga ekipi i drejtuar nga Josip Kuzhe, por ndeshja mban një simbolikë të madhe.
Veç faktit që zhvillohet në përvjetorin e pavarësisë dhe se 20 mijë biletat e shitura me nga 2 euro do të shkojnë në ndihmë për familjet e mbytura në veri të Shqipërisë, ajo do të shërbejë si një ndihmë e Federatës Shqiptare për të afruar futbollin kosovar drejt UEFAS-s dhe FIFA-s.
Federata e Kosovës është ende në negociata për njohjen ndërkombëtarisht nga këto dy organizma ndërkombëtarë.
Fadil Vokrri: “Ju e dini që ne jemi në kontakte permanente me FIFA-n dhe UEFA-n, sidomos me FIFA-n dhe duke marr parasysh që FIFA ka 208 shtete të pranuara në gjirin e vetë, neve momentalisht na kanë njohur 65 shtete, mirëpo sigurisht që nuk është numër i mjaftueshëm. Pas këshilldhënies nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës sigurisht që do të përshpejtohen edhe këto gjëra dhe ne jemi në rrugë të mirë që shumë shpejt edhe me anëtarët e FIFA-s dhe të UEFA-s”.
Në lojën e zhvilluar në stadiumin e qytetit te Prishtinës, megjithëse në kushte jo fort të mira futbollistët kosovarë u përpoqën të jepnin më të mirën e tyre, ndoshta edhe për të rënë në sy të trajnerit të përfaqësueses shqiptare, apo të drejtuesve të federatës të futbollit.
Gazetari: “Futbollistët kosovarë kanë qenë pjesë e rëndësishme këto kohët e fundit për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit, por a do të vazhdojnë ata të tundohen nga pjesëmarrja në këtë përfaqësuese? Mendimet dhe dëshirat janë nga më të ndryshmet “.
Anel Raskaj kapiteni i përfaqësueses kosovare në këtë takim, një nga lojtarët më të mirë kosovarë qe aktualisht luan në Suedi me Hallm 7, do të dëshironte të vishte këtë fanellë verdh e blu të Kosovës, por nuk refuzojnë as atë kuq e zi të Shqipërisë.
Gazetari: “Do të preferonit më shumë të luanit me Kosovën apo më Shqipërinë?
Anel Raskaj: “Po është, është pak e vështirë, por mund të them që unë jam i lindur në Kosovë kështu që më shumë më ngre Kosova, por unë nuk mbyll asnjë dyer, kështu që dyert janë të hapura për të gjitha kombëtaret, kështu që unë nuk mund të them jo, unë e dua edhe Shqipërinë edhe Kosovën”.
Por çfarë mendojnë vet kosovarët? Dikush prej tyre pranon jashtë kamerave se nuk ka një komb kosovar, ka vetëm një komb shqiptar të ndarë në dy shtete, në Kosovë dhe në Shqipëri. Një baba me dy fëmijët e tij në stadium do të bunet tifo vetëm për një skuadër.
Gazetari: Juve si tifozë do të dëshironit një kombëtare apo dy kombëtare?
Qytetari: “Një kombëtare.”
Gazetari: “Cilën psh, atë të Kosovës apo të Shqipërisë?
Qytetari: “Atë të Shqipërisë.”
Gazetari: “Pra mendoni se do ishte më mirë edhe për futbollistët?
Qytetari: “Unë mendoje do ishte më mirë dhe do të kishte një kualitet më të mirë do të ishte një vend, një territor më i madh edhe zgjedhja do të ishte më e mirë, ashtu është mendimi im”.
Dikush tjetër mendon se të paktën në futboll ka ardhur koha që secili te ndjek rrugën e tij.
Gazetari: “Do ta këshillonit një futbollist ta zëmë që të luante më shumë me kombëtaren shqiptare apo me të Kosovës”.
Qytetari: “Po unë kisha propozuar kosovarët për Kosovën edhe të Shqipërisë me të Shqipërisë me lujt.”
Kjo është një temë që është diskutuar gjatë, megjithëse mendimet dhe dëshirat janë ende kontradiktore dhe të paqarta, deri atëherë kur futbolli i shtetit më të ri njihet nga UEFA dhe FIFA, për kosovarët si popull dhe si futbollistë, përfaqësuesja kuq e zi do të jetë e vetmja kombëtare.
Për Tv Klan nga Prishtina Erjon Todhe./tvklan.al