Erjon Goxhara, efektivi i policisë që plagosi me armë Lorenc Kostën te “Komuna e Parisit” në Tiranë 4 ditë më parë, ka deklaruar para hetuesve se nuk ka dashur të vriste 45-vjeçarin por vetëm ta plagoste.

Në dëshminë e tij para grupit hetimor të siguruar nga gazetari i Klan News Besar Bajraktari, Goxhara është shprehur se ka përdorur armën e shërbimit për ta plagosur dhe ka mohuar që ta kishte organizuar ngjarjen.

Sipas tij, ai ka qenë me vajzën në një fast-food në “Komunën e Parisit” atë ditë kur aty pranë kaloi Lorenc Kosta dhe e ka provokuar.

“Isha tek Komuna e Parisit me vajzën dhe ishim ulur në një sufllaqe. Para tavolinës tonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Ai kaloi dy herë para tavolinës sime dhe më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna. Të hënën nuk durova më dhe e qëllova. Nuk kam dashur ta vras dhe prandaj qëllova poshtë. Pas plagosjes kam telefonuar djalin dhe e kam takuar tek rrethi i Shkozës. Kemi shkuar bashkë me taksi për në Fresk dhe aty jam përballur me një polic civil i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj duke më nxjerrë armën. Unë i thashë më mirë vras veten sesa të dorëzohem dhe jam larguar në drejtim të Dajtit derisa vendosa të vetëdorëzohem”, ka thënë ndër të tjera Erjon Goxhara përpara hetuesve.

Efektivi 46-vjeçar u vetëdorëzua në Policinë e Tiranë pasditen e të mërkurës.

Sipas verifikimeve dhe dëshmive që kanë mbledhur hetuesit, shkak i ngjarjes ka qenë një lidhje jashtëmartesore e bashkëshortes së Goxharës me të plagosurin Lorenc Kosta. Vetë gruaja i pranoi lidhjen me Kostën, pasi të dy punojnë së bashku te Enti Rregullator i Energjisë.

Në gjendje të rënduar psikologjike, efektivi Erjon Goxhara qëlloi 6 herë në këmbë me pistoletë 45-vjeçarin Kosta. Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar.

/tvklan.al