Efektivi i policisë Erjon Goxhara është vetëdorëzuar këtë të mërkurë në Policinë e Tiranës. Ai ndodhej në kërkim që prej ditës së hënë, kur qëlloi me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, në zonën e Komunës së Parisit.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën “Tish Daija”, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç”, tha Policia e Tiranës në një njoftim për mediat.
Goxhara e qëlloi Kostën me 6 plumba në pjesën e gjymtyrëve duke e lënë të plagosur. Shkak për ngjarjen u bë lidhja sentimentale që 45-vjeçari kishte me bashkëshorten e efektivit të policisë.
Ndërkohë, gazetari Besar Bajraktaraj mëson se pas vetëdorëzimit polici është shfaqur në kushte të rënduara psikologjike. Në deklarimet paraprake ai ka thënë para kolegëve se është penduar për krimin e kryer dhe se plagosjen e ka kryer në kushte të rënduara psikologjike. Goxhara po vijon të merret në pyetje nga grupi hetimor./tvklan.al