Miratimi nga parlamenti i ligjit për pastërtinë e figurave, pret tashmë vetëm dekretimin nga presidenti i republikës në mënyrë që shoqëria t’i japë fund njëherë e mirë procesit të shumëpritur të shkëputjes nga e kaluara e errët komuniste.
Numërimi mbrapsht ka filluar dhe kreut të shtetit i kanë mbetur edhe 5 ditë kohë për të thënë fjalën e fundit që në gjuhën kushtetuese do të thotë firmosje, ose jo e dekretit.
Nisur nga qëndrimet e kahershme, presidenti Topi ka lënë të kuptohet se vullneti i tij pro dënimit dhe shkëputjes njëherë e përgjithmonë nga krimet e komunizmit.
Deklarata e parë si kryetar shteti erdhi pikërisht me rastin e 26 vjetorit të kryengritjes anti-komuniste në Postribë, ku në emër të 100 banorëve të persekutuar nga regjimi diktatorial, presidenti Topi nuk hezitoi t’i kërkonte mazhorancës së djathtë që të miratonte sa më parë ligjin për hapjen e dosjeve.
Bamir Topi: “Ne duhet t’i shmangemi leximit të njëanshëm dhe ideologjik të historisë dhe mbulimit të saj nga pluhuri i harresës. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të merret me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte të tërë shoqërinë.”
Thënë ndryshe kjo deklaratë e Topit për këta banorë të cilët ishin pjesë e lëvizjes antikomuniste 62 vjeçare në Postribë, do të përkthehej si një angazhim, që për numrin një të shtetit do ti jepte zgjidhje përfundimtare çështjes që mban peng debatin politik për më shumë se 18 vjet.
Në shtator të viti 2008, presidenti Topi duke iu drejtuar mazhorancës së djathtë, tha se dënimi i krimeve të komunizimit nuk mund të mbetet kurrsesi peng i retorikës politike.
Vetëm dy muaj më vonë atëherë kur politika shënoi kulmin e debatit pas miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve, Presidenti Topi përmendi sërish po aq i bindur deklaratën e tij se krimet e komunizmit duhen dënuar.
Bamir Topi: “Në rast se do të më pyesni si politikan gjithmonë kam qenë i hapur për ta për këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse dhe natyrisht që ai që kërkon të bëjë karrierë natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale. Për të folur si president pastaj si president unë flas nëpërmjet dekretit, secila nga mediat ka arkivën e vet dhe aty do të gjeni të gjithë deklaratat e mia përsa i përket çështjes së dosjeve.”
Jashtë petkut të presidentit politikani Bamir Topi njihet si një nga nismëtarët dhe mbështetësit e fortë të miratimit të ligjit për lustracionin, që do të distanconte vendin nga e kaluara komuniste.
Në cilësinë e kreut të grupit parlamentar demokrat ai dorëzoi tre vjet më parë në Kuvend një projektligj të njëjtë me atë të miratuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar në Kuvendi i Shqipërisë.
Në draftin e firmosur në atë kohë nga Topi përfshiheshin gjithashtu prokurorët dhe gjyqtarët si kategori për t’iu nënshtruar procesit të lustracionit, kategori të cilat krijuan edhe përplasjen më të fortë mes mazhorancës dhe opozitës në të gjithë procesin që shoqëroi me pas dhe miratimin e ligjit.
Interesit mediatik, por dhe atij publik lidhur me firmosjen e ligjit është shprehur se do ti përgjigjet nëpërmjet dekretit. Duke iu referuar kushtetutës dhe pikërisht nenit 84 të saj, llogaritet se nga 10 janari i 2009 kanë mbetur dhe 5 ditë ligjore për të nxjerrë dekretin, çka do të thotë se presidenti ka konsumuar plotë 15 ditë prej momenti kur ka marrë në dorëzim ligjin e miratuar me 74 vota në Kuvend.
Skepticizmi i shfaqur nga presidenti Topi lidhur me përmbajtjen e 9 faqeve të projektligjit si dhe afrimi drejt skadimit të afatit kushtetues prej 20 ditësh e bën edhe më të paqartë qëndrimin e kreut të shtetit. Shqetësimit të natyrshëm nëse presidenti ndodhet përpara dilemës për të dekretuar ose jo ligjin i kanë mbetur vetëm pak ditë kohë për të vërtetuar nëse ka ekzistuar si i tillë.
Referuar memories politike, deklaratave dhe qëndrimeve të tij firmosja duket të jetë një akt formal. Por edhe nëse do të ndodhë e kundërta mazhoranca nuk do të tërhiqet prej iniciativës, për ta rivotuar ligjin në Kuvend…/tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro