Një grua që vendos të përdorë teknikën ripordhuese invitro mund ta bëjë këtë nga mosha 18 deri në 53 vjeç. Është ky një nga përcaktimet që bëhen për herë të parë në projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”.
Synimi është rregullimi me ligj i teknikave për riprodhimin mjekësor të asistuar, ndërprerjen e shtatzënisë apo edhe shtatzënitë me surrogato.
“Aplikimi i teknikave të RMA për trajtimin e infertilitetit fillon pas moshës 18 vjeçare dhe përfundon në moshën 53-vjeçare. Embrionet dhe vezët e pafekonduara mund të ruhen në ngrirje deri sa gruaja të mbushë moshën 53 vjeç. Pas kësaj moshe, vezët ose embrionet nëse nuk dhurohen, duhet të asgjësohen”.
Po ashtu në projektligj përcaktohen edhe kriteret për dhuruesit për procesin e invitro, ku nga i njëjti person nuk mund të lindin më shumë se 5 fëmijë.
“Dhuruesit e qelizave riprodhuese janë të detyruar t’u nënshtrohen ekzaminimeve dhe analizave laboratorike të nevojshme, për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të tyre. Mosha e donatorëve femra për dhurimin e vezëve përfundon në 35 vjeç. Për donatoret meshkuj, dhurimi i spermatozoideve përfundon në moshën 45 vjeç”.
Projektligji zgjat nga 12 në 14 javë afatin për ndërprerjen e një shtatzënie. Për bluzat e bardha, 20% e çifteve të reja rezultojnë me infertilitet tek femrat ose meshkujt.
Rritja e infertilitetit tek çiftet e reja ka sjellë një interesim të numrit të grave që kryejnë fekondim artificial edhe në Shqipëri.
Për këtë arsye ndryshimet ligjore janë nevojë e ofrimit të teknikës invitro edhe në institucionet shëndetësore shtetërore. I pari që pritet ta ofrojë këtë shërbim do të jetë materniteti “Koço Gliozheni”.
Tv Klan