Nxitja e dhunës në rrjetet sociale është një fenomen shqetësues edhe për Policinë e Tiranës. Vrasja e nxënësit vijoi të shkaktonte reagime të ashpra, siç ishte rasti i këtij 16-vjeçari shqiptar, i cili nga SHBA bisedon në Tik Tok me një person të pa identifikuar, që sipas tij është i afërm me autorin e vrasjes me thikë të 14-vjeçarit.

“Kushua jot e bëri një therje, e vrau atë, do ta bëjmë dhe një neve…”

Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Tiranës, Klodian Bilushi, tregon për Klan News si u identifikua i riu dhe veprimet hetimore që janë duke u kryer.

“Identifikimi  u bë nëpërmjet inteligjencës policore dhe disa ‘tools’ që ne përdorim për këto raste. Është një rast i përhapur ku të rinjtë përdorin jashtëzakonisht rrjete sociale jo vetëm të në po në të gjithë botën. Bashkë me organet ligjzbatuese partnere do të bashkëpunojmë për vazhdimin e hetimeve të kësaj çështje nëpërmjet letër porosive dhe zyrës Interpol të Tiranës.”

Sipas Bilushit, 16-vjeçari, por dhe të mitur të tjerë, rrezikojnë heqjen e lirisë për shumë vite.

“Vepra penale që i është atribuuar personit në fjalë është vepër penale e rëndë dhe është nga 2 deri në 10 vjet dënuëshmëria e saj. Ndoshta nuk e dinë dënueshmërinë dhe që mund të konsumojnë vepër penale, por e konsumojnë. Kemi grupe që janë hapur në hetim që mendojmë që janë hapur nga studentë apo nxënës të shkollave fillore apo të mesme.”

Pas identifikimit të tij dhe vënies në hetim nga krimi kibernetik nga Policia e Tiranës, i mituri ka bërë një tjetër reagim ku shfaqet i penduar për veprimin e kryer.

“I kërkoj falje shumë familjes, iu kërkoj shumë falje të gjithëve.”

Megjithatë në profilin e tij që tashmë është mbyllur, ai tregonte raste të vjedhjes së pijeve në markete të ndryshme në SHBA dhe sesi tentonte t’i arratisej policisë.

Klan News