Armand Teliti: “Një ngjarje e re ka ndodhur në ligjin e gjendjes civile, tashmë regjistrimi nuk bëhet me pagesë, por përkundrazi paguhesh në qoftë se regjistrohesh.”

Projektligji për ndryshimet në disa amendamente të Gjendjes Civile tashmë e kaluar fazën e votimit në 12 qershor nga parlamenti, ndërsa pritet vetëm dekreti i presidentit për ta ligjëruar atë. Për këtë shteti në bazë dhe të përllogaritjeve të lindjeve në shkallë republike ka parashikuar të paguaj rreth 30 mijë dollar në vit.

Armand Teliti jep detaje se si do të procedohet me këtë ligj.

Armand Teliti: “Ne do të konsiderojmë si ditë të llogaritjes së afatit ligjor prej 60 ditëve, pikërisht ditën e futjes në fuqi të ligjit. Pavarësisht se fëmija mund të jetë në moshën 2 vjeçare, 3 vjeçare apo 5 vjeçare dhe është akoma i pa regjistruar për arsye të ndryshme të familjarëve të tij, ne do të bëjmë regjistrimin e këtij fëmije pa pagesë natyrisht, pa shkuar në gjyq dhe duke marrë një shpërblim në qoftë se këto prindër do t’i regjistrojnë fëmijët brenda 60 ditëve.”

Ndryshimet në këtë ligj do të çojnë dhe në parandalimin e trafikut të fëmijëve.

Armand Teliti: “Kemi detyruar që përmes ligjit, institucionet shëndetësore, qofshin ato private ose shtetërore, çdo ditë të hënë janë të detyruar të raportojnë lindjet e javës paraardhëse në zyrat e gjendjes civile.”

Ligji i mëparshëm kishte parashikuar sanksione ndëshkuese për çdokënd që nuk kryente regjistrimin e foshnjës brenda afatit prej 45 ditësh. Madje ndaj tij shteti kishte aplikuar dhe një gjobë prej 20 mijë lekësh të reja./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani