Pas raportit të Bankës Botërore të bësh biznes, një tjetër vlerësim ndërkombëtar e ngjit ekonominë shqiptare disa shkalle më sipër në renditjen botërore. Në raportin më të fundit vjetor për indeksin e Lirisë Ekonomike në botë i përgatitur nga Instituti Fraser në Kanada, Shqipëria u rendit e 57-ta mes 141 vendeve të marra në analize, duke kërcyer kështu me 8 vende në renditje krahasuar me një vit më pare. Zef Preçi, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, thotë se raporti vlerëson sidomos rolin e qeverise në klimën ekonomike në vend.
Zef Preçi: “Treguesi i madhësisë së qeverisë ka ndryshuar 8.8 nga 8.07 në vlerësimet e mëparshëm, struktura ligjore dhe garantimi i të drejtave të pronës që është treguesi i rëndësishëm ka lëviz në 5 nga 4.94, por ka një ndryshim modest. Si sektori monetar është nivel 9.4 nga 9.57 në vlerësimet e mëparshëm, liria ndërkombëtare 6.1 në 5.93 dhe rregullimi i gjerë i kredisë, tregut punës dhe biznesit 6 nga 5.8 pra ndryshimi mëse efikativ ka ndodh në treguesin e madhësisë së qeverisë. Kjo do të thotë që treguesit e tjerë, fushët e tjera mendoj dhe vlerësoj që duhet të jenë në fokusin e punës në 4 vitet e ardhshme të qeverisë së re”.
Liria Ekonomike në Botë nëpërmjet 42 treguesve kryesore mat shkallën në të cilën politikat dhe institucionet e shteteve mbështesin lirinë ekonomike. Preçi shton se bazuar në ecurinë e deritanishme përfshi dhe reformat e nisura, në raportin e vitit të ardhshëm Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet në renditjen botërore./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro