Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lirohet si i pafajshëm shqiptaro-amerikani i dënuar si trafikant armësh në kohën e luftës në Kosovë. E. J. shqiptari me nënshtetësi amerikane, ka qëndruar vetëm 20 ditë në qelitë e burgut 313, megjithëse Gjykata e Faktit të Tiranës kishte dhënë dy vjet më parë, dënimin me 7 vjet heqje lirie ndaj tij.

Që prej vitit 2000, Jusufi ishte shpallur person në kërkim nga policia shqiptare. Arrestimi i tij u bë i mundur një muaj më parë në aeroportin e Rinasit, kur personi po hynte në Shqipëri me pasaportë amerikane. Pas identifikimit dhe pas prangosjes në Rinas, E. J. u transferua në qelitë e burgut, ku do të vuante dënimin me 7 vjet heqje lirie. Por ka qenë kërkesa për gjykim në apel, që ka çuar në lirimin e tij.

Sipas burimeve nga Gjykata e Apelit, dosja e gjykimit në vitin 2000 ka rezultuar me mjaft shkelje procedurale. Në aeroportin e Rinasit, Jusufi deklaroi, se në Shqipëri vinte për biznes, ndërsa arrestimi i tij përkoi dhe me kthimin mbrapsht në Rinas, të disa elementëve që konsiderohen si persona të dyshuar si organizatorë të trazirave të mundshme në Maqedoni, apo të implikuar me AKSH./tvklan.al