Tre persona kanë mbetur të vrarë një atentat të përgjakshëm mbrëmjen e së shtunës në Elbasan. Ngjarja ndodhi rreth orës 21 e 15 minuta në zonën e Bradasheshit pranë Metalurgjikut, ku persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të një automjeti ku ndodheshin viktimat.
Nga breshëritë e plumbave ka humbur jetën Indrit Alibej 34-vjeç dhe Arben Dylgjeri 25-vjeç, si dhe një shtetas rumun me pasaportë turke, me iniciale E.K. Shqiptarët e vrarë janë të afërm me njëri-tjetrin, xhaxha dhe nip. Edhe shtetasi rumun besohet se është i afërm i bashkëshortes së Alibejt, për të cilin thuhet se është i martuar me një rumune dhe jeton me të në Holandë.
Burime nga grupi hetimor thonë se dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë pikërisht Alibej. Pista kryesore e hetimit është ajo e prishjes së pazareve të drogës, pasi Indrit Alibej figuron me precedentë të mëparshëm penalë. Ai ka qenë i arrestuar për trafik droge në Itali në 2013-ën, ndërsa aktualisht ka në pronësi një hotel në Rumani.
Viktimat nuk kanë precedentë në Shqipëri, pasi shumicën e kohës jetonin jashtë vendit dhe ishin kthyer vetëm para pak ditësh për të kaluar pushimet në Shqipëri. Mësohet se viktimat kanë qenë duke darkuar në një nga restorantet e zonës dhe u është ngritur pritë sapo kanë hipur në një makinë me targa italiane.
Automjeti ku ishin viktimat humbi kontrollin pasi u qëllua dhe doli nga rruga. Policia thotë se autorët kanë qenë disa dhe janë larguar me një makinë në drejtim të Peqinit.
Menjëherë pas ngjarjes Policia e Shtetit është vënë në lëvizje duke ngritur disa postblloqe ndërsa drejt Elbasanit janë nisur forcat RENEA për t’u ardhur në ndihmë atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë. Burime policore thanë se forca të shumta rrethuan zonën në një perimetër të gjerë, ndërsa janë kryer kontrolle dhe shoqërime për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Në Elbasan kanë mbërritur edhe një grup hetuesish nga Drejtoria e Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit.
Tv Klan