Liz Truss jep dorëheqjen nga posti i saj si kryeministre e Britanisë së Madhe. Truss është shprehur se nuk mundet ta përfundojë mandatin për të cilin u përzgjodh.

Në fjalimin e saj në Downing Street, ajo thotë se e ka njoftuar Mbretin Charles se ajo po dorëhiqet si lidere e Partisë Konservatore.

Përpara gazetarëve, Truss është shprehur se ajo erdhi në pushtet në një periudhë “paqëndrueshmërie të madhe ekonomike dhe ndërkombëtare”.  Vendi ishte frenuar prej kohësh dhe ajo u zgjodh nga partia e saj në “një mandat për ta ndryshuar këtë”.

Truss tha se qeveria e saj ia doli me faturat e energjisë dhe shkurtimin e sigurimeve kombëtare si dhe vendosi një vizion për “ekonominë e taksave të ulëta, rritjes së lartë”. “Unë kuptoj… pavarësisht situatës se nuk mund ta përfundoj mandatin në të cilin u përzgjodha nga Partia Konservatore”, shtoi Truss.

Ajo tha se sot u takua me drejtuesin e Komitetit të vitit 1922, Sir Graham Brady.

Në këtë takim, ata ranë dakord se gjatë javës së ardhshme do të ketë zgjedhje të reja për drejtimin e vendit. Ajo thotë se kjo do të sigurojë që vendi të mbetet në rrugën “për të zbatuar planet fiskale dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe sigurisë kombëtare të vendit”.

Truss do të mbajë detyrën si kryeministre derisa të zgjidhet pasuesi i saj.

Liz Truss shërbeu si kryeministre e Britanisë vetëm 45 ditë, periudha më e shkurtër e një zyrtari në këtë post. I dyti pas saj vjen George Canning, i cili mbajti detyrën si kryeministër për 119 ditë në vitin 1827.

Dorëheqja e Truss vjen në një kohë kur sipas një sondazhi të kryer gjatë fundjavës, më shumë se gjysma e qytetarëve britanikë rezultoi se mendonin që ajo duhet të jepte dorëheqjen si kryeministre dhe 80% e tyre fajësonin qeverinë për rritjen e kostos së jetesës.

Situata ekonomike nuk ka qenë e mirë dhe këtë e tregojnë edhe të dhënat zyrtare. Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar arriti në nivelin më të lartë të 40 viteve këtë Shtator, pas kostos në rritje të ushqimeve që nuk ishte parë që nga viti 1980./tvklan.al