Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte në Lezhë, ku zhvilloi një inspektim mjedisor në lumin Drin.
Lleshaj shprehu keqardhje që lumenjtë e vendit tonë, janë kthyer në zgjatime të banjove të qytetit dhe të industrive shqiptare.
Kjo gjë është e papranueshme dhe Lleshaj tha se do të vazhdojë puna e policisë dhe IKMT-së për të ndryshuar këtë situatë.
Pas lumit Erzen në Tiranë, radha do t’i vijë Lezhës, ku Lleshaj tha se synohet që të ndërpriten shkarkimet e ujërave të zeza në lumë.
Lleshaj paralajmëroi gjoba të larta për ata që thyejnë rregullat.
“Gjobat janë ekstremisht të larta. Na vjen shumë keq kur këto gjoba vendosen, por nuk do të ndalohet asnjë çast dora ndaj kujtdo që guxon me vetëdije, apo pa vetëdije të bëjë dëme të parikuperueshme në mjedisin tonë. Sot IKMT-ja dhe Policia janë praktikisht një strukturë, dhe në të gjitha rastet, çdo rast të cenimit të mjedisit goditja është në dy plane. Së pari, është goditja administrative përmes gjobave të forta, jo simbolike por të forta dhe e dyta është goditja penale, sepse këto të gjitha janë edhe krime penale të parashikuara nga Kodi Penal. Në çdo rast IKMT-ja jep gjobë të fortë dhe fillon masat administrative, ndërkohë që Policia fillon automatikisht hetimin penal ndaj gjithkujt që bën këto dëme dhe këto krime ndaj mjedisit, ndaj shtëpisë tonë të përbashkët”, tha ai.
Ministri shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu; Perfekti Gjok Jaku; kryeinspektorja Dallëndyshe Bici si dhe drejtues vendorë të policisë së Lezhës./tvklan.al