Lëvizja Socialiste për Integrim, mbylli të enjten në mbrëmje në një miting të madh në sheshin “Skënderbej” fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Sheshi qendror i Tiranës është mbushur nga flamuj të kësaj force politike, ndërsa brohoritjet e tyre kanë qenë një mbështetje e “Planit për Veprim” që ky spektër politik do të ofrojë për shqiptarët në rast fitoreje. Në fjalët e fundit drejtuar votuesve shqiptare Ilir Meta, ka kërkuar votën si e vetmja alternative politike për 100 mijë shqiptarë për katër vitet e ardhshme.

Ilir Meta: “Ndaj me të gjithë ju besimin tonë të pa lëkundur në fitoren e 28 qershorit në Tiranë, në Durrës, në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë. Ne do të fitojmë sepse alternativa jonë, është një alternativë e vërtetë, është një alternativë e sinqertë, është një alternativë që në themelin e vet, që në gjakun e vet ka dashurinë për Shqipërinë dhe jo urrejtjen për shqiptarët e thjeshtë. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, por kërkon në 28 qershor një qeveri të mrekullueshme që mund ta drejtoje vetëm alternativa jonë”.    

Në datën 29 qershore Meta premtoi bashkimin e së majtës.

Ilir Meta: “Në 29 qershor, projekti i Ilir Metës, i LSI-së dhe i shumë faktorëve të tjerë progresist dhe të përgjegjshëm për bashkimin e të majtës do të eci përpara pa u ndalur, jo vetëm drejt krijimit të një qeverie të majtë e progresiste, por edhe për të larguar njëherë e mirë farën e keqe të përçarjes dhe të diversionit që nuk janë në karakterin dhe në moralin, dhe pjesë e vlerave të ne të majtëve, sepse ne kemi solidaritetin, ne do të fitojmë, sepse Sali Berisha nuk pati kurajon të dilte njëherë të vetme në debat televiziv me Ilir Metën”.

Meta tha se LSI do të fitojë në këto zgjedhje me 34 deputete, ndërsa shtoi se LSI do të dalë fituese në 4  qarqe të vendit./tvklan.al