PS ka refuzuar ftesën që një ditë më parë i dërgoi kryetarit Rama dhe një grupi ish-kryeministrash dhe ish-drejtuesish të lartë të së majtës për të mbrojtur votën në 28 qershor.

Kandidati për deputet i PS në qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri tha për mediat, se kjo parti është e kënaqur që më në fund Ilir Meta pranon se largimi i Berishës është domosdoshmëri për të ardhmen e sigurt të vendit, por shtoi se zgjidhja nuk është ajo që ofron LSI.

Saimir Tahiri: “Kjo mund të realizohet vetëm duke i bashkuar të gjitha votat për Partinë Socialiste. Pikërisht për këtë arsye, ne e ftojmë Ilir Metën të jap kontributin e tij konkret në këtë drejtim, duke iu bashkuar apelit tonë, që në 28 qershor duhet të votojnë të gjithë partinë Socialiste të Shqipërisë, numrin 33, sepse vetëm duke votuar për partinë Socialiste të Shqipërisë garantohet vota për ndryshimin historik dhe fundi i politikës së vjetër të së shkuarës”.

Me herët LSI nëpërmjet sekretari për marrëdhëniet me publikun Luan Rama, ripërsëriti ftesën drejtuar PS, duke hedhur gjithashtu po akuzat sipas të cilave, Meta po bën lojë jo të pastër politike.

Luan Rama: “Kur na ndajnë vetëm 7 ditë nga zgjedhjet e 28 qershorit, përsëris edhe njëherë ftesën që të gjithë ata që e ndjejnë veten socialistë, të gjithë ata që jo vetëm e ndjejnë por realisht janë faktor influent të politikës së majtë progresiste, të ulen në këtë tryezë dhe të koordinojnë veprimet dhe përpjekjet e tyre në funksion të së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Sepse në fund të fundit ajo nuk synon dhe nuk ka në thelbin e vet aspak ndarje votash apo pazarin e radhës për një deputet më shumë apo për një deputet më pak.”

Tryeza e së majtës e thirrur nga Meta, do të mblidhet të hënën në mesditë dhe ndonëse jo zyrtarisht, pjesëmarrjen në të e ka konfirmuar ish-kryeministri dhe Fatos Nano./tvklan.al