Lajme Arkiva 2003

760 mijë fëmijë të kopshteve dhe nxënësve do të nisin nesër shkollën në të gjithë vendin. Ne rastin e 15 shtatorit ditës së parë të shkollës, ministri i Arsimit dhe Shkencës Luan Memushi përshëndet 62 mijë vogëlushët e klasës së parë dhe 514 mijë nxënësit e arsimit të detyrueshëm.

Luan Memushi: Viti i ri që po nis do të jetë viti i zbatimit të reformave të mëdha në të gjitha nivelet e arsimit. Ky proces reformues do të ketë vulën e angazhimit dhe të kontributit të të gjitha kapaciteteve, zellin tuaj të dashur nxënës dhe studentë për mësim dhe edukim, përkushtimin, kompetencën profesionale, vlerat e çmuara të figurës suaj të pastër morale dhe shoqërore. Të respektuar kolegë, mësues dhe profesor viti i ri shkollor 2003-2004 shënon vitin me objektiv të rëndësishëm pedagogjiko-didaktik, përvetësimin cilësor të gjuhës shqipe, leximit dhe letërsisë, vitin e përgatitjes së re kurrikulare parauniversitare, vitin e zbatimit për herë të parë të standardeve të arritjes në shkollë, vitin e nënshkrimit të deklaratës së Bolonjës.

Këtë vit janë përuruar rreth 350 objekte shkollore të reja dhe të rikonstruktuara që do të mundësojnë kushte të përmirësuara mësimi dhe edukimi për rreth 70 mijë nxënës dhe studentë me fonde të shtetit donatorëve, biznesit dhe pushtetit vendor./tvklan.al