Ministri i Punëve te Brendshme, Lulzim Basha, deklaroi se Shqipëria ka përmbushur ne përgjithësi te gjitha kriteret teknike, te cilat i garantojnë vendit liberalizimin e regjimit te vizave.

Sikurse tha ministri është shënuar një progres domethënës qe nga periudha e fundit e inspektimit evropian mbi përmbushjen e kritereve te udhërrëfyesit.

Lulzim Basha: “Dje parlamenti evropian me një vendim historik i kërkoi komisionit dhe këshillit të ministrave që Shqipërinë së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë t’i rendisim në listën e bardhë të vendeve Shengen duke kërkuar që konfirmimi përfundimtar për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën të bëhet menjëherë pas konfirmimit të kritereve teknik. Kam kënaqësinë e veçantë sot nga pozita e Ministrit të Brendshëm të konstatoj se kjo nismë nuk vjen si një surprizë. Ajo vjen si një konstatim i parlamentit evropian për progresin që Shqipëria ka bërë nga periudha e fundit e inspektimeve të komisionit evropian deri më sot. Që prej ditës së pardjeshme ne numërojmë afro çerek milion pasaporta biometrike. Në vetëm katër muaj, pra Shqipëria ka realizuar një hap gjigant sa i përket këtij kushti themelor, vendimtar dhe nga më kryesorët për liberalizimin e vizave”.

Tashme qeveria shqiptare duket se pret konfirmimin përfundimtar te këtyre arritjeve, arritje që sipas eurodeputetes Tanja Fajon do t’i sigurojnë vendit lëvizjen pa viza ne Korrik te vitit 2010.

Lulzim Basha: “Është e qartë se Shqipëria në këto pesë muaj që nga inspektimet e fundit të komisionit evropian ka plotësuar një nga një të gjitha kriteret të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kjo dhe vetëm kjo është shtysa që dje parlamenti evropian i kërkoi komisionit dhe këshillit të ministrave ta rendisë Shqipërinë tok me vendet e tjera. Ne presim natyrisht që ky konfirmim në nivel teknik të kryhet sa më shpejt nga ekspertët e komisionit evropian, por nuk duhet të ketë sot asnjë dyshim se Shqipëria në tërësi i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave dhe po punon për përmbushjen në veçanti të atyre pjesëve të mbetura, të cilat janë jo sinjifikante. Sot gjendemi në një situatë ku secili prej sistemeve tona është qartësisht më modern, më i përparuar dhe më efikas se cilido prej sistemeve prezente në Ballkanin Perëndimor, i krahasueshëm dhe madje me disa vlera teknike superior ndaj sistemeve të praktikuara në zonën Shengen.

Shqipëria ka shënuar ritmin më të lartë në rajon të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike.

Të dhënat më të fundit të Ministrisë së Brendshme flasin gjithashtu për përfundimin e instalimit të sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar.

Brenda 14 ditësh do të përfundojë dhe vendosja e lexuesve optikë të pasaportave biometrike.

 Në të gjitha pikat e kalimit kufitar mundësohet në kohë reale lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it.

Sistemi TIMS është i ndërlidhur me qendrën operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi