Me argumentin se interesat e ish-pronarëve nuk janë përfaqësuar asnjëherë në parlamentin shqiptar, Lëvizja Për Zhvillim Kombëtar dhe Shoqata “Pronësi me Drejtësi” kanë zyrtarizuar marrëveshjen për  pjesëmarrje te përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ky bashkëpunim parashikon përfshirjen e ish-pronarëve në listën e kandidatëve për deputetë,  me të cilën “Poli I Lirisë” do të hyjë në garën elektorale të Qershorit. 

Dashamir Shehu: “Shpallëm sot përfshirjen e shoqatës Pronësi me drejtësi në koalicionin tonë politik, si dhe përfshirjen e përfaqësuesve të kësaj shoqate në listën e kandidatëve për deputet në Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar edhe në partitë e tjera që ndodhen brenda këtij koalicioni.”

Rrapo Danushi: “LZHK-ja është e para parti në Shqipëri mbas të ashtuquajturës “Demokraci të Shqipërisë” që fut në programin e saj plotësisht programin e shoqatës “Pronësi me drejtësi”.

Nard Ndoka në emër të demokristianëve tha se për herë të parë ish pronarët do të japin në parlament kontributin e tyre.

Nard Ndoka: “Është hera e parë që në historinë e pluralizmit shqiptar jepet një kontribut i drejtpërdrejt i pronarëve, pra duke kandiduar dhe duke përfaqësuar vetveten në Kuvendin e Shqipërisë”.

Në këtë mënyrë koalicionit “Poli i Lirisë” ku tashmë janë të përfshirë disa subjekte politike, i shtohet edhe shoqata e ish-pronarëve, kandidatët e së cilës do të garojnë në qarqet kryesore të vendit./tvklan.al