“Spirancë stabiliteti për Ballkanin” e ka konsideruar Shqipërinë, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, i cili zhvillon vizitë zyrtare në vendin tonë.

Gjatë deklaratës për mediat pas takimit me Kryeministrin Edi Rama, Maas theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë me sukses reformën në drejtësi për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian.

“Mënyra kurajoze për të bërë politikë është demonstruar tashmë e suksesshme, për të nisur reforma siç është ajo e drejtësisë. Qeveria të vijojë më tej në rrugën e nisur. E kemi mbështetur këtë rrugë, por edhe ju sigurisht që jeni partner mjaft i rëndësishëm për ne, ju jeni një vend që mund të konsideroheni si spirancë e stabilitetit dhe qetësisë në rajon”

, u shpreh Maas.

Kreu i diplomacisë gjermane foli shkurtimisht edhe për hapjen e negociatave për Shqipërinë, për të cilat tha se në Qershorin që sapo lamë pas, disa vende të Bashkimit Europian ishin skeptike. Megjithatë, Heiko Maas ofroi mbështetjen e Gjermanisë për vendin tonë në rrugën evropiane.

“Sigurisht që ka kundërshti në këto procese. Gjithsesi Shqipëria do të mund të mbështetet gjithmonë te Gjermania. Perspektiva evropiane e Shqipërisë nuk është vetëm fjalë nga ana jonë. Rruga e Shqipërisë drejt BE do të vijojë dhe për këtë keni mbështetjen tonë të plotë”

, theksoi ministri gjerman.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama bëri me dije se Shqipëria i ka kërkuar mbështetje Gjermanisë për të marrë drejtimin e OSBE.

“Unë do të përsëris një kërkesë që ne e kemi bërë për të marrë mbështetjen e qeverisë federale për kandidaturën e Shqipërisë për të drejtuar OSBE-në. Jemi të bindur që kjo do të kontribuonte në funksion edhe të vet dinamikave të rajonit tonë, të proceseve integruese të rajonit

“, tha Kryeministri Edi Rama. /

tvklan.al