Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Diplomacia shqiptare duhet të jetë e gatshme për të përballuar çdo lloj situate që do të paraqitet në takimin e 15 Marsit. Për këtë qëllim sot kryeministri Pandeli Majko ka zhvilluar një takim punë me Kolegjiumin e Ministrisë së Jashtme.

Majko e Milo nënvizuan domosdoshmërinë e kontakteve masive që duhet të ketë diplomacia shqiptare gjatë ketyre ditëve me përfaqesues të forcave politike ushtarake të shqiptarëve në Kosovë si dhe me përfaqesues të spikatur të faktorit ndërkombëtar. Pas takimit i cili u zhvillua pa praninë e gazetarëve, kryeministri Majko u shpreh:

Kryeministri Pandeli Majko:- “Diplomacia shqiptare siç edhe po e vini re kohët e fundit po i jep jo vetëm vendin e merituar çështjes së Kosovës në rajonet ndërkombetare, por edhe vetë diplomacisë shqiptare parë në tërësi. Pra ne jemi kthyer nga një pjesë e problemit, siç jemi konsideruar deri më dje, në një pjesë të zgjidhjes. Duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë faktorët partnerët ndërkombëtare, por ndërkaq edhe me faktorët politike e ushtarakë në Kosovë, gjë që po e bën të vetëdijshme Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se faktori shqiptar gjendet një i tërë përballe situatës tepër të vështirë që ndodhet momenti shqiptar në rajon”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego