Mali i Zi ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur duke i dhënë një goditje të ashpër Serbisë.

Po kështu dhe parlamenti maqedonas miratoi projekt-rezolutën e partive shqiptare për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

85 nga 120 parlamentarë votuan pro kësaj rezolute që i kërkon qeverisë së Nikolla Gruevskit duke lënë mënjanë çështjen e demarkacionit të kufijve.

Mediat lokale thonë se qeveria Gruevski mund të shpallë njohjen zyrtare të shtetit më të ri të Evropës nga çasti në çast.

Menjëherë pas këtij vendimi Beogradi zyrtar tërhoqi ambasadorin e vet nga Podgorica dhe dëboi nga vendi ambasadorin malazez duke i thënë: “Ju nuk jeni më i mirëpritur këtu”.

I njëjti urdhër është dhënë edhe për ambasadorin e Shkupit. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, deklaroi se është tepër i zhgënjyer nga vendimi i dy vendeve fqinje.

Tanimë pavarësia e Kosovës është njohur nga të gjitha ish-republikat jugosllave përveç Bosnje-Hercegovinës.

Analistët politikë vlerësojnë se në shenjë hakmarrje Beogradi mund të mos njohë Maqedoninë me emrin e saj kushtetues duke ia vështirësuar punët në bisedimet me Athinën për çështjen e emrit.

Vendimi i Podgoricës dhe Shkupit pritet gjithashtu të ftohë marrëdhëniet mes vendeve ballkanike që dikur ishin pjesë e Jugosllavisë.

Vetëm pak ditë më parë Serbia paralajmëroi Malin e Zi se nëse do e njihte Kosovën kjo do të përbënte një thikë pas shpine për Beogradin.

Pavarësia është njohur sot edhe nga Hungaria dhe Letonia. Lajmi i njohjes nga Mali i Zi dhe vendimi i parlamentit maqedonas bëri xhiron e botës duke u vlerësuar si tepër pozitiv për Prishtinën, sidomos pas vendimit të asamblesë së përgjithshme të OKB-së për të mbështetur nismën serbe që kërkon mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle