Universiteti Shtetëror i Tetovës prej të enjten nga institucion arsimor është shndërruar në arenë të përplasjeve politike mes partive shqiptare në pushtet dhe opozitë. Arsyeja qëndron në vendimin e Ministrit të Arsimit për të shkarkuar rektorin Agim Vela, me pretekst se në punën e deritanishme të këtij institucioni janë shënuar malverzime të mëdha financiare dhe arsimore.

Mirëpo sipas Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë dhe rektorit të deritanishëm Agim Vela, vendimi i Ministrisë së Arsimit ka prapavijë politike. Ata kanë mohuar legjitimitetin e këtij vendimi.

Menduh Thaçi: “Qeveria duke mos pasur asnjë kuadër që i përmbush kushtet, gjetjen e një Papovic apo një Shqepanovic që dhe ky si përmbush po shkojnë me një goditje e cila është jashtë ligjore. Pa dyshim se nuk është e lehtë absolutisht. Jo se e them për të mbrojt po këto argumente besoj se janë të bollshme se kjo është tamam një ekuacion që u bo Miloshevici, Universiteti i Prishtinës në vitin ‘90”.

Agim Vela: “Vendimin për shkarkimin e udhëheqëit të universitetit dhe marrjen e dhunshme të elektoratit nga ana e personave jo akademik, e konsiderojmë si shkelje flagrante e të të gjitha akteve pozitive ligjore në Maqedoni”.

Ndërkaq, Kryetari i Demokracisë së re Imer Selmani, ka paralajmëruar ankimim të këtij vendimi të ministrisë deri në gjykatën kushtetuese.

Imer Selmani: “Demokracia e Re me vëmendje do ta ndjekë situatën këto 2-3 dit dhe ne qysh në fillim të javës së ardhshme do të ngrejmë një procedurë gjerë te gjyqi kushtetues”.

Vendimin e Ministrisë së Arsimit e kanë arsyetuar rektori i sapo emëruar Agron Reka dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, partia shqiptare në pushtet. Ata kanë vlerësuar se një vendim i këtillë ka qenë i domosdoshëm për të ndërprerë malverzimet që sipas tyre janë bërë në këtë Universitet.

Safet Neziri: “Duke ditur informacione të pregaditur nga Ministria e Arsimit dhe shkencës, qeveria e Republikës së Maqedonisë për të gjitha ato pa rregullsi që ju bën USHT, kuvendi i republikës së Maqedonisë solli vendim me të cilën i obligon Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, qeverinë e republikës së Maqedonisë t’i ndërmerr të gjitha masat  ligjore dhe kushtetuese për tejkalimin e të gjitha pa rregullsive”.

Agron Reka: “Detyra ime si ushtrues i detyrës së rektorit, është që të sigurohen masat përkatëse dhe të bëhet konsolidimi, të zgjidhet senati i ri”.

Kjo nuk është hera e parë që Universiteti i vetëm shtetëror i shqiptarëve në Maqedoni të jetë në fokusin e përplasjeve mes partive politike shqiptare. Të njëjtin skenar USHT e përjetoi edhe në vitin 2006, mirëpo atëherë në pushtet ishte PDSH, kurse BDI ishte në opozitë.

Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al