Buze rrjedhës së Drinit te Zi, në bregun verior te Liqenit të Ohrit, shtrihet Struga, një qytet në jugperëndim të Maqedonisë, ku shqiptarët përbejnë pjesën dërrmuese të popullsisë.

Është pikërisht ky fakt, që e solli tërë stafin e Maratonës së Këngës Popullore, Televizionin Klan e Promotor, në këtë qytet të bukur, që me tërë mend e kanë quajtur qyteti i artizanateve.

 Janë të shumtë struganët që presin koncertin e Maratonës, që pas rrugëtimit në nëntë qytete është ndalur serish jashtë kufijve të Shqipërisë, në natën e dhjetë, për t’u sjellë një atmosferë shqiptare edhe struganëve, në sheshin qendror të qytetit afër atij Nene Tereza.

Dhe mikpritja e banorëve të Strugës u ndje qysh në krye të koncertit të maratonës me ngjitjen në skenë të dy prezantuesve, Anjeza Maja e Drini Zeqo.

Pak moment kanë mjaftuar që edhe struganët të bëheshin njësh me këngët e maratonës, tashmë të kthyera në hite për të gjithë  ata që janë të dhënë pas muzikës popullore. Dhe këngëtaret vetë ishin po aq të motivuar për t’u dhuruar struganëve një mbrëmje të paharruar, me këngë të njohura dhe të përpunuara.

Eglantina Toska: “Vij nga Shqipëria e mesme dhe kjo është një këngë e Shqipërisë e mesme aq më tepër që është kënduar nga një këngëtare e paharrueshme si … Rexha.”

Big Man: “Është eksperienca e parë për mua, kjo ndodhi falë Silvës, Silva më gjeti edhe më tha do të bëjmë një gjë të atillë dhe ka dalë një sukses. Mund ta them deri diku të eksperimentosh në muzikën rap edhe popullore mund të jetë një tabu deri më sot, por doli me të vërtetë fantastike. Se e reja sjell të renë, hej shoku ja vlen.”

Nuk mund të mungonin në maratonën e Strugës këngëtarë të njohur të ardhur nga ky qytet, të cilët i kemi njohur neper festivalet e këngës.

Agim Poshka: “Falënderoj regjisorin edhe skenaristin që më ftuan edhe unë do performoja me kënaqësi natyrisht edhe në qytete të tjera, por meqë është në Strugë padiskutim që kjo nuk diskutohet. Ndërsa kënga që performova është një këngë që është kënduar në edicionin e parë me Vëllezërit Dervishi që është quajtur “Po të bëj rixha”. Është një këngë e vjetër e cila më lidh mua me vetë maratonën.”

Selami Kolonja: “Pse jo është një rikthim për mua. Që në momentin ku e kuptova se do të organizohet në Strugë maratona e Këngës Popullore Qytetare unë si artist i këtij vendi e mirëprita shumë. E mirëprita në aspektin kulturor edhe në aspektin kombëtar sepse ky eveniment i shtrirë nëpër të gjithë qytetet me gjithë gjeografinë shqiptare që rastësisht pengojnë kufijtë mekanik, mendoj që do të jetë një integrim shuam i mirë brenda nesh, shqiptarëve.”

Këngët e maratonës së katërt të këngës popullore, u mirëpritën nga publiku strugan që kish mbushur sheshin.

Ritmet shumëngjyrëshe të trevave të ndryshme shqiptare, ngrohën atmosferën në qytet, ndërsa vetë struganët kërcyen duke i dhënë harmoni kësaj maratone mbarëkombëtare…/tvklan.al