Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pas Tiranës, Gjirokastrës, Vlorës dhe Shkodrës, ishte pikërisht qyteti i lashtë dhe me tradita i Beratit, që preku skenën e Maratonës së Këngës Popullore Qytetare realizuar nga TV Klan. Në këtë edicion të 5-të, i cili ka përkuar edhe me festën e bukur të Shën Valentinit, në këtë spektakël të mrekullueshëm dhe të vetëm në llojin e tij, janë ngjitur në skenë me dhjetëra artistë dhe surpriza të ndryshme.
Kështu në garë mes tyre, për festivalin e Disko-Folkut kanë konkurruar këta artistë, Monika dhe Kristela Trungu, Malësori, i cili është edhe përfaqësuesi i parë konkurrent nga Mali i Zi, këngëtarja Suela Kalaja dhe këngëtari tjetër i njohur Dashnor Diko.
Ndërsa qyteti i Beratit është prezantuar me figurat më të njohura të tij, si vëllezërit Kozma dhe Dhimitër Dushi, këngëtarët Floresha Debinja, Hajrie Saraçi, Petrit Berisha, si dhe me veteranen e muzikës beratase Virgjini Mile. I ftuar special ka qenë edhe kryetari i bashkisë së Beratit Nikollaq Mata.
Berati u prezantua në këtë mbrëmje edhe me traditën, artin dhe kuzhinën që e karakterizon këtë qytet. Artizan të ndryshëm beratas kanë prezantuar punime druri dhe qëndistarie, aq të famshme për qytetin e lasht./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora