Në natën e dytë të audicioneve të “X Factor Albania 6” juria profesioniste, e përbërë nga Bojken Lako, Eli Fara, Ronela Hajati dhe Ardit Çuni, është në kërkim të atyre talenteve të rralla që kanë potencialin të shndërrohen në yje të muzikës shqiptare.

Mes audicioneve të kësaj mbrëmjeje, një zë i veçantë nga Korça, Marin Grabocka, arriti të tërheqë vëmendjen me historinë dhe interpretimin e tij.

Marini, një 20-vjeçar student i Inxhinierisë së Matematikës dhe Informatikës, e ka nisur lidhjen me muzikën që në fëmijëri, duke kënduar përkrah të atit dhe më pas si pjesë e korit të shkollës.

Por, pavarësisht pasionit të tij për muzikën, rruga e Marinit drejt skenës nuk ka qenë e lehtë. Prindërit e tij e kanë orientuar drejt një fushe më të “sigurt” dhe kjo ka bërë që Marini të mos shohë veten në muzikë në një horizont të gjatë.

Pavarësisht kësaj, Marini vendosi të provojë fatin në “X Factor Albania” dhe rrëmbeu 4 “Po”./tvklan.al