Programi për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ka dhënë frytet e para falë nënshkrimit të kontratave mes bizneseve dhe bankave.
Konkretizimi i programit, iniciativë e qeverisë shqiptare me mbështetjen e një linje kredie të qeverisë italiane në shumën e 30 milion eurove mbërrin vetëm tre muaj nga ndërmarrja e kësaj nisme në ndihmë të sektorit privat.
Në prani të zv/Ministrit të Ekonomisë dhe ambasadorit italian në vendin tonë, katër kompani shqiptare kanë nënshkruar marrjen e kredisë me terma të butë për një total prej 1 milion eurosh.
Eno Bozdo: “Të katër kompanitë që përfitojnë sot kreditimin e butë do të investojnë në linja industriale prodhimi. Dy prej këtyre kompanive janë kompani eksportuese. Vendimi i tyre për të investuar në teknologji prodhuese për të rritur cilësinë dhe eficencën e prodhimit e përshëndes në mënyrë të veçantë, sepse ky vendim është sinteza më e mirë e besimit të investitorëve shqiptarë në ekonominë shqiptare, e besimit se ekonomia shqiptare është një ekonomi dinamike dhe se dhe për këtë vit, por dhe vitet e tjera kjo ekonomi do të njohë vetëm rritje.”
Numri dy i Ministrisë së Ekonomisë shtoi se ky program do të vijojë edhe me mandatin e ardhshëm me një fond shtesë prej 25 milion eurosh.
Po ashtu është në plan edhe ngritja e inkubatorëve të biznesit, si dhe mbështetje për teknologjitë e reja dhe inovatore, ndërsa ambasadori D’Elia theksoi se zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do të thotë shumë për ekonominë shqiptare për vetë peshën e madhe që këto biznese kanë në zhvillimin e vendit./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro