Në heshtje dhe mes lotëve prindër, nxënës, qytetarë i janë bashkuar protestës të thirrur, pas vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli”.

Ata kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule në hyrje të ambienteve të shkollës.

Më pas kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit. Duke mbajtur në duar pankartën me nënshkrimin “Institucionet e papërgjegjshme, vrasin”.

Pjesë e kësaj proteste u bënë edhe prindërit e Martinit, nëpërmjet një mesazhi që nëna e tij përcolli në këtë protestë.

“Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan dhimbjen. Falenderoj të gjithë nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra e jetë. Ia morën të dyja. Si nënë që jam, uroj nga thellësia e shpirtit që askush të mos sprovohet me një dhimbje të tillë”, thuhej në mesazhin e Florina Canit.

Reagimet e qytetarëve ishin të shumta. Pjesë e protestës ishin dhe prindër dhe nxënës të shkollës “Fan Noli”.

Në mbyllje prindërit kërkuan ndër të tjera më shumë psikologë në shkolla apo dhe ndalimin e gjuhës së urrejtjes në rrjete sociale nëpërmjet institucioneve dhe mekanizmave ligjorë.

Ministres Manastriliu i lanë afat 24 orë për dhënien e dorëheqjes pasi në të kundërt protestat do të vijojnë.

Tv Klan