Brenda dhjetë vitesh kryeqyteti do të ketë mbi 100 korsi të rezervuara për transportin publik.

Kjo është parashikuar në masterplanin për zhvillimin e transportit publik në Tiranë deri në vitin 2020 të prezantuar nga bashkia e Tiranës.

Sipas kreut të bashkisë Edi Rama masterplani është instrumenti i duhur për të zgjidhur çështjen e trafikut të rënduar në kryeqytet.

Edi Rama: “Dua t’i siguroj sot të gjithë qytetarëve të Tiranës se duke pasur në dorë këtë masterplan dhe duke pasur në dispozicion të gjithë hartën e projekteve që duhet të nisim dhe të realizojmë për të filluar zbatimin e këtij masterplani kemi në dorë instrumentin që na duhet për të përballuar sfidën e rritjes eksponenciale të lëvizjes dhe të transportit në kryeqytet.”

Masterplani i paraqitur nga bashkia tregon se transporti publik do të ketë 88 kilometra korsi të rezervuara, ndërsa do të shtohen 6 linja të reja dhe do të zgjaten linjat e Unazës.

Po ashtu parashikohet edhe eliminimi i trafikut transit në qendër të Tiranës./tvklan.al