Lajme Arkiva 2003

Është ekstraduar nga Italia Lulëzim Caka, personi i shumë kërkuar nga policia shqiptare dhe Interpoli për disa vrasje të kryera prej tij. Caka me origjinë nga Berati u arratis nga qelitë e burgut të Lushnjes në janar të vitit 2000, ku po vuante dënimin me 20 vjet heqje lirie për vrasje.

Sapo arratiset nga burgu Caka kryen 4 vrasje të tjera për të marrë hakun e nënës dhe vëllezërve të vrarë gjatë qëndrimit të tij në burg. Vrasësi kishte arritur pas kësaj të arratisej drejt Italisë duke përdorur një pasaportë fallto.

Arrestohet në Itali dhe kryen aty dënimin për armëmbajtje pa leje. Një ditë më parë agjentë të Interpolit shqiptarë kanë udhëtuar drejt Italisë për të marrë në dorazi të shumëkërkuarin Lulëzim Caka.

Në pistën e aeroportit lëvizjet e personit të sapo ekstraduar janë mbikëqyrur nga forca speciale dhe masa të forta sigurie. Në komisariatin e Rinasit është bërë dorëzimi i të dënuarit Lulëzim Caka tek autoritetet e drejtorisë së burgjeve shqiptare. Për të është ende i vlefshëm dënimi me 25 vjet heqje lirie i dhënë para se ai të arratisej nga qelitë e burgut të Lushnjes.

Pritet gjithashtu që “super killer-i” të dalë sërish para drejtësisë për të marrë dënimin për katër vrasje të tjera si dhe për një sërë krimesh për të cilat akuzohet./tvklan.al