Mbi 7000 mijë tërmete në ishullin më të njohur të Greqisë brenda një jave! Tashmë, banorët e mbetur atje janë mësuar ta ndjejnë tokën që dridhet herë pas here dhe parashikimet për në vijim nuk janë aspak “komforte”. Lëkundjet më të fuqishme u ndjenë më 6 Shkurt, aq sa u “përhapën” deri në Kretë, Athinë e madje disa pjesë të Turqisë. Deri më tani, raportohet se 10 mijë rezidentë e turistë kanë braktisur ishullin, ndërsa janë mbyllur shkollat e institucione të tjera.

Njerëzit janë të pasigurt për çfarë i pret dhe të shqetësuar se mos ndoshta do ketë “një breshëri tërmetesh” akoma më të forta, apo më e frikshmja, shpërthim vullkani. Shkencëtarët konfirmojnë se nuk po shohin asnjë shenjë të uljes së aktivitetit sizmik, por nga ana tjetër nuk paralajmërojnë dot të sigurt se diçka më fatale do të ndodhë.


Një sizmolog nga Observatori Kombëtar i Athinës, Vassilis K Karastathis,  ka deklaruar se “nuk kanë ende prova për të qetësuar njerëzit apo për të vijuar me evakuimet”. Ndërsa, eksperti i katastrofave natyrore, Costas Sylonakis, thotë se shpërthimi i madh vullkanik në këtë ishull ndodh një herë në 17 mijë vjet, duke u munduar të shuajë aludimet për një të tillë. “Ne besojmë se vullkani ka shpërthime të vogla një herë në 50 vjet, megjithatë nuk përjashtohet asnjë skenar”, është shprehur ai.

Santorini ndodhet në Harkun Vullkanik Helen, një rajon që përpos peisazheve mbresëlënëse, njihet për aktivitetin sizmik dhe vullkanik. Rreth vitit 1600 para Krishtit, ndodhi një prej shpërthimeve më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në historinë e njerëzimit që shkatërroi gjithë ishullin, duke lënë pas “pjesën e tokës që sot është si gjysmëhënë”.

Tërmeti i fundit në Santorini ishte ai i 9 Korrikut 1956, me magnitudë 7.8 Rihter që shkaktoi një cunam 25 metra të lartë, prej të cilit humbën jetën 53 persona e u plagosën 100 të tjerë.

Foto nga tërmeti i vitit 1956

/tvklan.al