Kjo është java e tretë e mandatit të dytë të Donald Trump si Presidenti i SHBA-ve. Kësaj here Trump duket se ka ardhur në pushtet me ide të qarta për të ndikuar gjithë politikën botërore, ndërkohë që veprimet e vendimet e tij kanë shokuar dhe kanë ngjallur frikë në të gjithë globin.
Që nga vendimi i tij që Gaza të jetë nën mbikëqyrjen e SHBA-ve, ndërprerja e pjesës më të madhe të ndihmave të SHBA për shtetet e tjera e deri tek ndalimi i transgjinorëve për të garuar në sportet e femrave, Trump gjatë kësaj jave ka lëshuar 16 urdhra ekzekutivë. Më poshtë tregohet një panoramë e vendimeve të Presidentit Donald Trump.
SHBA kontroll mbi Gazën
Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu, Presidenti Donald Trump përforcoi mendimin e tij që SHBA të “zotërojë” Gazën. Trump tha se SHBA do të marrë kontrollin për rindërtimin e Rripit të Gazës, të shkatërruar nga lufta. Ai foli gjithashtu për një zhvendosjes të përhershme të më shumë se 2 milionë palestinezëve që jetojnë në Gaza, duke shpjeguar se atje tashmë është bërë një vend i pabanueshëm për shkak të gati 16 muajve luftë. Trump tha se synonte që këtë vend ta kthente në “rivierën” e Lindjes së Mesme. Ndër të tjera ai paralajmëroi se do të jetë edhe më i ashpër në rast se një marrëveshje pengjesh midis Hamasit dhe Izraelit dështon. (Lexo më shumë)
Pezullimi i USAID
Presidenti Donald Trump urdhëroi që të pezullonte nga puna rreth 2200 punëtorë të Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID). Trump argumentoi se USAID po shpërdoronte paratë e taksapaguesve, teksa shtoi se do ta çarmatoste atë duke larguar të 10 mijë punëtorët e agjencisë. Vetëm pak orë pasi Trump mori detyrën më 20 Janar, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalonte të gjithë ndihmën e huaj derisa këto fonde të verifikoheshin nëse përputheshin me politikën e tij “Amerika e para”. Por pas kësaj, gjykata amerikane ka bllokuar përkohësisht urdhrin e Presidentit të 47-të SHBA-ve. Vendimi i gjykatës erdhi vetëm pak orë para hyrjes në fuqi dhe do të qëndrojë të paktën deri në 14 Shkurt. (Lexo më shumë)
Tarifa ndaj Kinës, Kanadasë e Meksikës
Siç e kishte paralajmëruar dhe në fushatën e tij presidenciale, Trump vendosi taksa për Kinën, Kanadanë e Meksikën. Prodhimet e këtyre vendeve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen me tarifa doganore deri në 25%. Taksat e importit nga Kanadaja dhe Meksika do të jenë 25% dhe 10% për prodhimet nga Kina. Sektori energjetik kanadez do të përballet me taksa importi 10%. Ndërkohë pas vendosjes së këtyre tarifave nuk kishin se si të mungonin dhe reagimet nga shtetet. Kanadaja pretendoi se këto taksime do të sjellin pasoja dhe për shtetasit amerikanë. Nga ana tjetër Meksika iu përgjigj akuzave të Trump se nuk janë të lidhur me organizata kriminale. (Lexo më shumë)
Sanksione për Gjykatën e Hagës
Donald Trump nënshkroi një urdhër ku vendosi sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë. Ai e akuzonte këtë gjykatë për veprime të paligjshme të pabazuara ndaj Amerikës dhe aleatit të ngushtë të saj, Izraelit. Sanksionet e Trump përfshijnë kufizime financiare dhe ndalim të vizave për individët që punojnë në Gjykatën e Hagës dhe ndihmojnë në hetimet ndaj qytetarëve ose aleatëve amerikanë. Sanksionet përfshijnë edhe familjarët e këtyre individëve. Pas vendimit të Trump 79 shtete dolën kundër tij. Sipas tyre kjo gjykatë është “një shtyllë jetike e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë”. (Lexo më shumë)
Sulm kundër grupit të Shtetit Islamik në Somali
Trump më 1 Shkurt dha urdhër për sulme ajrore kundër drejtuesve të lartë të Shtetit Islamik në Somali. Një nga objektivat e sulmit ishte një zyrtar i lartë që harton sulmet e organizatës terroriste si dhe drejtues të tjerë. Sulmet e 1 Shkurtit kishin si objektiv malet Golis. Sulmi solli eliminimin e shumë operatorëve terroristë dhe nuk pati dëmtime mes popullsisë civile. (Lexo më shumë)
Tërheqja e SHBA-ve nga OKB
Trump gjithashtu ndërmori veprime për t’i dhënë fund përfshirjes së SHBA-ve në disa nga institucionet e OKB-së. Më 4 Shkurt Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ai zgjati vendimin për pezullimin e ndihmës financiare për Agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë dhe urdhëroi një rishikim të rolit amerikan në UNESCO. (Lexo më shumë)
Dërgimi i emigrantëve në Gjirin e Guantanamos
Donald Trump, Presidenti i 47-të i SHBA-ve urdhëroi më 30 Janar dërgimin e emigrantëve të jashtëligjshëm në kampin e ndalimit në Gjirin e Guantanamos. Ky kamp ndodhet brenda territorit të bazës ushtarake amerikane në Kubë dhe pritet të strehojë 30 mijë emigrantë të jashtëligjshëm. (Lexo më shumë)
“Marrëveshja” me Ukrainën
Trump ka deklaruar të hënën se po planifikon të bëjë një marrëveshje me Ukrainën. Si një vend që zotëron minerale të shumtë të çmuar, Trump kërkon që Ukraina të furnizojë shtetin e tij me këto materiale në këmbim të 300 miliardë dollarëve. Nga ana tjetër për këtë marrëveshje ai përdor dhe situatën aktuale të luftës Rusi-Ukrainë. (Lexo më shumë)
Transgjinorët nuk mund të konkurrojnë në sportet e femrave
Më 5 Shkurt Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synon të ndalojë sportistët transgjinorë që të marrin pjesë në sportet për femra. Urdhri i tij u titullua “Mbajtja e Burrave Jashtë Sporteve për Femra”. Ky urdhër parashikon që t’u japë agjencive federale liri të gjerë për të siguruar që subjektet që marrin fonde federale t’i përmbahen vendimit. Urdhri është në përputhje me ligjin federal që ndalon diskriminimin me bazë gjinore në programet që marrin fonde federale. Nga ana tjetër urdhri kërkon “veprim të menjëhershëm, përfshirë veprimet për zbatimin e tij, ndaj shkollave dhe organizatave sportive” që nuk respektojnë sportet e femrave dhe dhomat e tyre të zhveshjes. (Lexo më shumë)
Masat për zjarret në Los Angeles
Trump urdhëroi këtë të hënë Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë që të lëshojnë miliarda litra ujë në dy rezervuarët në Luginën Qendrore të Kalifornisë. Vendimi erdhi pas situatës tragjike që sollën zjarret vdekjeprurëse në Los Angeles. Trump pretendoi se Kalifornia kishte ndaluar furnizimet me ujë që mund të kishin bërë një ndryshim në luftimin e zjarreve. Uji i grumbulluar nga dy digat u lëshua 160 kilometra larg Los Angeles dhe ekspertët e konsideruan këtë si një vendim të pamenduar mirë, pasi gjasat janë që ky ujë të ketë ikur dëm, pa pasur ndonjë efekt. (Lexo më shumë)
Krijimi i një task-force për eliminimin e paragjykimeve anti-kristiane
Më 6 Shkurt Presidenti Donald Trump nënshkroi urdhrin për krijimin e një taksforce të udhëhequr nga Departamenti i Drejtësisë. Kjo taskforcë do të jetë e projektuar për të eliminuar paragjykimet anti-kristiane brenda qeverisë federale. Bordi gjithashtu do të punojë për të ndaluar plotësisht dhunën, për të ndaluar plotësisht të gjitha veprimet që synojnë të denigrojnë besimet fetare në SHBA.(Lexo më shumë)/tvklan.al