Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës Shqiptare është shfaqur tejet e shqetësuar lidhur me kalesat e pa ligjshme, të cilat janë problematike dhe vënë në rrezik nga dita në ditë jo vetëm kalimtarët, por edhe trenat e linjës.
Kreu i hekurudhës Shqiptare, Zamir Ramadani, sqaron se nga ana e institucionit që ai drejton është e pamundur t’i përgjigjet këtij problemi me vendosjen e postblloqeve apo rojeve, ndërsa përgjegjësinë ia ka faturuar bashkive dhe komunave përkatëse.
Zamir Ramadani: “Është detyrë e bashkive dhe e komunave përkatëse ku shtrihet hekurudha shqiptare të cilat i ndërtojnë këto kalimet e pa ligjshme pa lejen dhe pa miratimin Hekurudhës. Nga ana jonë janë bërë të gjithë denoncimet e mundshme pranë këtyre bashkive, pranë këtyre komunave, në organet kompetente të specializuara, në prokurori sepse është cenuar lëvizja edhe siguria e trenit dhe e udhëtarëve.”
Përgjatë linjës hekurudhore të qytetit të Durrësit ka 12 kalesa me roje, ndërsa mbeten dhe shume kalime të tjera pa kujdesin e nevojshëm.
Për të gjitha kalesat legale drejtoria shprehet se mungesa e bashkëpunimit me bashkitë e komunat e kanë kushtëzuar këtë fenomen, edhe pse në ndihme të tyre hekurudha jep asistencë teknike./tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi