Ashtu siç pritej, komisioni parlamentar i ligjeve ka rinisur punën për shqyrtimin e projektligjit për hapjen e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Duke dëgjuar opinionet e përfaqësuesve të shoqatave të të përndjekurve politik dhe të drejtave të njeriut.

Gjatë seancës dëgjimore përfaqësuesit e këtyre shoqatave, ndonëse nuk paraqiten ndonjë amendament konkret mbi draftin që po diskuton komisioni. E konsideruan të domosdoshëm procesin e hapjes së dosjeve për të larguar nga postë të rëndësishme publike ish-bashkëpunëtorët e sigurimit.

Tomorr Aliko: “Të evidentojnë krimet e komunizmit dhe të dënojnë. Neve falim, por drejtësia duhet të veprojë. Fatkeqësia më e madhe se deri më sot po bëhen 17 vjet, megjithëse thirrjet e Evropës atje, akoma nuk bën.”

Simon Miraka: “Sigurisht administrata duhet të pastrohet, të gjitha nivelet e saj. Është e tmerrshme sot pas 20 vitesh gati po bëhen. Në administratë kemi njerëz hetues, kemi kryetar të degës, kemi prokuror.”

Ardian Kati: “Ne kërkojmë që brenda këtij ligji të lustacionit apo dhe me ligje të tjera shtesë. Krimi i komunizmit duhet patjetër të gjejë zgjidhje.”

Ndërkohë relatori i opozitës në komision Arben Isaraj kërkoi që të gjitha palët e interesuara për procesin duhet të shprehin qartë se deri në çfarë niveli duhet të hapen dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.

Ai tha se tashmë duhen hapur të gjitha dosjet. Projektligji për hapjen e dosjeve për ish bashkëpunëtorët e sigurimit, i nisur për shqyrtim që në sesionin e kaluar. Është caktuar si një nga prioritetet e parlamentit për këtë sesion./tvklan.al

Gazetare:  Anila Rama