LIVE – SEANCA E PËRBASHKËT
Bardhi: Shqipëria dhe Kosova të flasin në një gjuhë të unifikuar ndërkombëtarisht
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, theksoi propozimin e opozitës shqiptare, lidhur me takimet formale mes dy qeverive, duke thënë se fjalët ceremoniale duhet të marrin fund në mbledhjen e sotme për t’i lënë vend veprimeve. Bardhi tha se dy vendet duhet të flasin me një gjuhë të unifikuar ndërkombëtarisht.
“Të ndërmarrim angazhime solemne për krijimin e një komisioni të përbashkët, gjithëpërfshirës parlamentar që do të ketë për qëllim të ndërtojë një axhendë të qartë pune, duke filluar me monitorimin e marrëveshjeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës, që për hir të së vërtetës, në të shumtën e rasteve kanë mbetur në letër, ndërkohë që ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi, për ‘ti shndërruar në realitet të përbashkët për qytetarët tanë në të dy anët e kufijve formalë”, tha ai.
Më tej ai shtoi se, “Prandaj ne propozojmë që delegacionet tona parlamentare në të gjitha organizmat e huaja, të koordinojnë paraprakisht qëndrimet e tyre, në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të flasin me një gjuhë dhe mesazh të unifikuar në arenën ndërkombëtare. Qëndrimet e dy shteteve tona duhet të reflektojnë atë që ne jemi, një komb, një gjuhë, një qëndrim. Gjithashtu duhet të kujtojmë se bashkimi ynë dërgon një mesazh të fuqishëm në botë se shqiptarët, qoftë në Tiranë apo dhe në Prishtinë do të jenë gjithmonë bashkë”.
Çfarë ka ndodhur deri më tani
Ligjvënësit e Shqipërisë dhe Kosovës janë duke zhvilluar një seancë të posaçme të përbashkët në Kuvendin e Kosovës.
Seanca u hap me fjalën e kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe vijoi më pas me atë të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Fjalë mbajti dhe Presidentja Vjosa Osmani që tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh.
Ndërsa gjatë fjalës së tij në Prishtinë, kryeministri Edi Rama tha se Kosova duhet ta ngrijë dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me BE.
Sa i përket aleatëve, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se nuk ka asnjë arsye që BE të përpiqet të bindë Kosovën për qenien e lidhur organikisht me SHBA-në e BE-në.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti foli për ndihmën që Kosova do të japë për Luginën e Preshevës dhe tha se duhet të jetë shembull për Shqipërinë.
Seanca vijon ku flasin krerët e grupeve parlamentare të Shqipërisë dhe Kosovës.
Albin Kurti: Kosova, 4 mln Euro për Luginën e Preshevës. Të jetë shembull për Shqipërinë
Kryeministri Albin Kurti u ndal tek puna në shërbim të qytetarëve, duke sjellë në vëmendje dhe Luginën e Preshevës, ku jeton komuniteti etnik i shqiptarëve në Serbi. Ai tha se ky rast duhet të jetë shembull për Shqipërinë.
“Kemi punë përpara, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, edhe për të ndihmuar sigurinë e jetesës së shqiptarëve në vendet fqinje, në Maqedoni, në Malin e Zi, sidomos Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Europë, prandaj meritojnë vëmendjen më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si qeveri 4 milionë Euro për Luginën e Prëeshevës. Le të jetë si shembull për Shqipërinë“, tha Kurti… Lexo më shumë
Rama: Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, një absurditet absolut
Kryeministri Edi Rama u shpreh se sanksionet e BE-së ndaj Kosovës sot janë një absurditet. Ai theksoi se në samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor ka këmbëngulur bashkë me presidenten Vjosa Osmani që ato të hiqen. Sipas tij, Kosova duhet të bindë edhe skeptikët më të mëdhenj të saj në BE se barra e fajit për degradimin e dialogut është vetëm e Serbisë.
“Dëshira ime e zjarrtë e patregueshme dot me fjalë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE-së, të cilat meqë ra fjala sot janë një absurditet absolut. Së bashku me presidenten në samitin me BE-së dy ditë më parë kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave të mos digjen. Por ne duhet të jemi dorë për dore paqedashës dhe paqeruajtës për të bindur dora-dorës edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e mosnjohjes së tyre ndaj shtetit të Kosovës dhe në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi nuk duhet të lejojmë qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës”, u shpreh Rama… Lexo më shumë
Rama: Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun bilateral me Serbinë
Në seancën e përbashkët parlamentare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha para deputetëve të të dyja vendeve se Kosova duhet ta ngrijë pa afat dialogun bilateral me Serbinë.
Sipas Ramës, Prishtina zyrtare duhet ta synojë normalizimin e marrëdhënieve duke shkëputur reciprocitetin nacionalist me Serbinë dhe të vazhdojë dialogun me Bashkimin Europian për t’i treguar që Kosova ka vullnetin për të qenë pjesë e familjes euro-atlantike.
“Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit europian dhe euroatlantik Kosova duhet ta ngrijë, ta ftofi siç thoni ju, pa afat dialogun bilateral me Serbinë, dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me BE-në duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në. E thënë ndryshe Kosova mund t’ia japë familjes europiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut në një kohë të shkurtër provën e padiskutueshme të vullnetit dhe përkatësisë së vet në gjirin e Europës së bashkuar dhe të NATO-s duke përmbushur uniliteralisht të gjitha kushtet e normalizimit me Serbinë, jo për hir të Serbisë, por për hir të martirëve dhe fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin“, tha Rama… Lexo më shumë
Osmani: Shqipëria dhe Kosova, dy pjesë të pandashme të një kombi të madh
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh.
“Jetojmë në një kohë të trazuar që kërkon bashkëpunim. Një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë dhe më e fortë. Një Kosovë e suksesshme e ngre edhe më lart Shqipërinë. Prosperiteti i secilit shtet është detyrë që na takon të gjithëve”, tha Osmani mes të tjerash.
“Shqipëria për ne ka qenë më shumë se një shtet motër, ka qenë një aleate e palëkundur duke na qëndruar pranë në çdo hap të ndërtimit të shtetit tonë të lirë e sovran. Edhe sot, Shqipëria mbetet një shtyllë e fortë e mbështetjes tonë. Për këtë populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës’, tha Osmani. Presidentja po ashtu theksoi se “suksesi i Kosovës dhe Shqipërisë është nderim i të kaluarës tonë. Le t’i afrojmë dy shtet tona çdo ditë e më shumë”.
Pak para nisjes së seancës kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali zhvilluan një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Klan Kosova përcjell edhe këtë foto nga ky takim.
Spiropali: Anëtarësimi i Kosovës në KiE, vetëm çështje kohe
Në fjalën e saj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe kjo është vetëm çështje kohe.
“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës. Samiti Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor rikonfirmoi mbështetjen për politikën e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Ne besojmë se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj si anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës është vetëm çështje kohe dhe do të ndodhë shpejt”, tha mes të tjerash kryeparlamentarja.
Edhe ambasadorët të pranishëm
Të pranishëm janë edhe ambasadorët e dy vendeve, Petrit Malaj dhe Skënder Durmishi.