Qeveria miraton strategjinë kombëtare për administratën publike. Në thelb të saj qëndron zgjerimi i rrethit të punonjësve të shërbimit civil. Kryeministri Sali Berisha tha se garantimi i qëndrueshmërisë së administratës, merr një vlerë të posaçme, në kushtet kur vendi është përfshirë në procese integruese.

Në këtë stad, kur pritet shumë shpejt që unioni evropian të dërgojë pyetësorin mbi bazën e së cilës vlerësohet performanca e qeverisë, pesha e administratës në proces merr tjetër dimension.

Sali Berisha: “Në këtë kontekstadministrata e ka jetike zgjerimin dhe konsolidimin e shërbimit civil. Ky shërbim ka bërë progresin e vet, ky shërbim është zgjeruar, por nuk duhet të harrojmë se ky shërbim nuk është produkti i një evolucioni të gjatë, por është produkti i një vendimi dhe një ligji të kaluar për tu sanksionuar si i tillë dhe kjo për faktin e vetëm se nuk kishte alternativë tjetër, të jemi realist. Qeveria jonë ka përcaktuar si objektiv gjatë këtij 4 vjeçari ngritjen e një universiteti për administratën publike. E kemi një institut pranë departamentit të administratës publike, por unë mendoj se duhet të kemi një universitet dhe e kemi të domosdoshëm. Në këtë strategji synohet që të zgjerohet korpusi i punonjësve të shërbimit civil, është e domosdoshme. Janë krijuar  një seri agjencish me shkallën më të lartë të ekspertizës. Realiteti ky është dhe kanë mbetur në varësi të ministrit, ato duhet të jenë në varësi të ligjit.”

Kryetari i qeverisë Berisha, tha se korpusi i shërbimit civil është i domosdoshëm të fuqizohet edhe në nivelet e qeverisjes vendore, bashki e komuna. Strategjia parashikon madje dhe gradimin e punonjësit të administratës varësisht performancës së tij.

Sali Berisha: “Ky 4 vjeçar duhet të shënojë një lëvizje të fuqishme, një përpjekje të madhe të kësaj qeverie për zhvillimin dhe konsolidimin më tej të administratës publike. Do të jepen gradimet, zyrtar i lartë civil siç i kanë vendet tjera. Mendoj se këtë strategji po e miratojmë në kohë, por ajo që është urgjente dhe që është e domosdoshme, zbatimi i saj me seriozitetin, rigorozitetin më të madh në interesin më të mirë të vendit.”

Miratimi i kësaj strategjie i jep një tjetër frymëmarrje, administratës civile. Për herë të parë synohet  të zgjerohet rrethi i zyrtarëve që mbrohen me ligjin e shërbimit civil dhe të garantohet zhvillimi i karrierës profesionale të tyre./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi