Qeveria e Kosovës sot për dy orë është zhvendosur në qytetin më problematik të Kosovës në Mitrovicë. Atje është zhvilluar mbledhja e rregullt e qeverisë, duke përçuar kështu mesazhin e përkushtimit të ekzekutivit për veriun e vendit.
Bashkimi i qytetit të Mitrovicës ka qenë fjala më e përdorur nga kryeministri dhe ministrat, por nuk janë dhënë rrugët e zgjidhjes së problemit edhe pse kryeministri ka thënë, se qeveria ka një plan të veçantë për integrimin e qytetit ai nuk e ka bërë publik atë.
Hashim Thaçi: “Mitrovica është Kosova vetë, prandaj ne kemi vullnet dhe gatishmëri për punë shtesë në Mitrovicë. Mitrovica e bashkon Kosovën e kultivon unitetin e të gjithëve, të gjithë do të punojmë për integrimin në kuptimin fizik dhe ndëretknik. Të gjitha institucionet e Kosovës janë në përkrahje të plotë të integrimit dhe zhvillimit të Mitrovicës, ashtu siç e mbështet Kosovën, por edhe Mitrovicën e mbështesin fuqishëm edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe NATO.”
Kryeministri Kosova ka shtuar se autoritetet vendore dhe kombëtare të sigurisë nuk do të lejojnë që veriu i vendit të mbetet oaz i kontrabandës dhe krimit të organizuar, pasi që vetëm vitin e kaluar si pasojë e kontrabandës që zhvillohet në këtë pjesë Kosova ka humbur 40 milion euro.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Zanun Bajaziti ka mbështetur deklaratat e shefit të tij duke thënë se policia është në nivelin e detyrës, ndërkohë më realist është shfaqur ministrja e Drejtësisë Nekipe Kelmendi, e cila ka thënë se Serbët po planifikojnë të hapin gjykata të reja në veri.
Nikoqiri i mbledhjes së qeverisë, kryetari i Mitrovicës Bajram Rexhepi, ka falënderuar përkushtimin e institucioneve të vendit për Mitrovicën. A ka theksuar se komuna ka përgatitur mjaft projekte për t’i prezantuar ato në konferencën e donatorëve. Tutje të gjithë ministrat e kabinetit Thaçi, kanë paraqitur projektet e tyre për qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Ministri i Transporteve ka folur për autostradën Merdarë-Prishtinë-Durrës dhe rëndësinë që ka ndërtimi i saj për këtë pjesë të Kosovës, ndërkaq ministri i Arsimit ka folur për ndërtimin e disa shkollave në këtë zonë. Ndryshe mbledhja e sotme e qeverisë së Kosovës është e para që zhvillohet jashtë ndërtesës së saj, por nuk do të jetë e fundit. Kryeministri Thaçi ka thënë se një gjë e tillë do të praktikohet edh enë të ardhmen./tvklan.al