Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë po raportojnë në Komisionin e Ligjeve për punën e KLP-së gjatë vitit 2023. I pranishëm në këtë seancë dëgjimore është edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Deputeti demokrat ka pyetur anëtarët e KLP-së lidhur me shkarkimin e Alfred Ballës nga posti i kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë se sa e cënon vendimmarjen në punën e tyre dhe besimin tek publiku.
Tartar Bazaj i KLP-së i është përgjigjur Bardhit duke thënë se nuk ndikon fare në cënimin e punës së tyre teksa ka shtuar se mbledhja për shkarkimin e Ballës ka qenë një moment emocional dhe se të gjithë janë ndjerë keq pasi kanë ndarë prej vitesh hallet apo gëzimet me njëri-tjetrin.
Gazment Bardhi: Unë do ta nis nga një ngjarje e ditëve të fundit. Kam ndjekur një mbledhje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe si ligjvënës por edhe si qytetar, dua të shpreh keqardhjen time për nivelin e mbledhjes së KLP-së, m’u duk si një mbledhje e Komisionit të Ligjeve ku zihemi për çdo gjë edhe pse nuk kemi shkak. Rezulton që KLP për një periudhë të caktuar kohore është drejtuar, por për më shumë se 5 vite ka patur në përbërje të saj një kryetar apo anëtar që sipas Kushtetutës nuk mund të ushtronte asnjë funksion të paktën për 15 vite në organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë. Anëtari apo ish-kryetari i KLP-së rezulton të ketë qenë vendimmarës me votën e tij të gjitha vendimet e KLP-së, ndërkohë që ka qenë në kushte pazgjidhshmërie për të qenë kryetar i KLP-së. Sa e cënon kjo vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe së dyti, sa kontribuon kjo në forcimin e besimit të publikut tek KLP-ja?
Tartar Bazaj: Unë do të thoja që ndikon zero sepse ne jemi një organ kolegjial të përbërë nga 11 anëtarë të KLP-së. Vendimmarrja e këtij anëtari është tek një votë. Unë jam sot i parë mes të barabartëve. KLP-ja është me vota. Përsa i përket atij momenti, ka qenë një moment emocional, kemi pasur votim për një koleg dhe të gjithë jemi ndjerë keq, kemi ndarë shqetësimet e punës, jemi miq, kemi qenë në një siklet të vërtetë. Duhet të na mirëkuptoni për atë moment. Edhe unë e kam si peshë këtë pjesë, ka qenë emocionale sepse ka qenë një miku jonë me të cilin kishim ndarë hallet e gëzimet për 5 vite e gjysëm.
Sjellim në vëmendje se më 27 Maj të 2024-ës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të ndërpresë mandatin e Ballës si anëtar me 9 vota pro. Në nisje të seancës, anëtarët e Këshillit u përfshinë në debate nëse do të duhet të shkarkojnë kryetarin e tyre apo jo.
Balla u përjashtua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për 15 vite nga çdo funksion në sistemin e drejtësisë pasi për KPA në 2017 është larguar nga detyra e këshilltarit ligjor të Gjykatës së Lartë me dorëheqje.
/tvklan.al