Pas 2 janarit të 2009 të gjitha prokurimet publike do të jenë elektronike. Kryeministri Berisha ka deklaruar se nuk do të shpallet asnjë prokurim nëse ai nuk do të bëhet në mënyrë elektronike, qoftë ky edhe në komunat më të lagëta të vendit.

Sali Berisha: “I bëj thirrje të gjithë autoriteteve konraktuese të vendit, në veçanti të gjitha bashkive dhe komunave të vendit me shpejtësi të marrin masa, sepse qeveria nuk do të lëvrojë asnjë qindarkë nga buxheti i saj pa u plotësuar ky kusht, sepse Agjencia Kombëtare e Prokurimeve Publike ka marrë dhe do marrë urdhër të prerë me shkrim, të mos publikojë asnjë tender jashtë prokurimit elektronik.”

Duke përdorur procedurat elektronike për prokurimet publike, shteti ka shumë përfitime financiare sipas kryeministrit.

Sali Berisha: “Kursimet me këtë procedurë rriten nga 8% që janë kursimi me procedurën e hapur dhe tradicionale, në prokurimin elektronik rritet në 15%. Do të thotë të kursejmë në një vit minimumi 200 milion dollarë.”

Berisha ka urdhëruar dhe ministrinë e Ekonomisë që procedurat elektronike të përdoren dhe për përzgjedhjen e kompanive koncensionare.

Sali Berisha: “S’mund t’i kërkojmë ne kryetarit të komunës së Zagorisë dhe të Lek Bibaj të bëjë prokurimin elektronik edhe ministria e Ekonomisë të na bëjë koncesione jo elektronike.”

Në mbledhjen e qeverisë është marrë dhe vendimi për shpalljen e konkursit për 221 vende vakante në administratën publike. Berisha ka kërkuar që me përparësi të shihen personat e graduar me tituj dhe grada në universitetet e huaja në kuadër kjo dhe të Breingenit të ndërmarrë nga qeveria për “thithjen e trurit”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Metlin Kepi