Procesi i organizimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ka mbledhur në Durrës Asamblenë Republikane të këtij qarku, ku ishte prezent dhe kryesia e kësaj partie dhe grupi parlamentar.

Ngritja e strukturave për kryerjen e identifikimit të plotë të anëtarëve të qendrave të numërimit, formimi i shtabeve elektoral edhe propozimi i kandidatëve, u theksuan si domosdoshmëri nga kryetari Fatmir Mediu, i cili u ndal gjithashtu edhe tek roli i republikanëve në këto 18 vite zhvillimesh të Shqipërisë.

Fatmir Mediu: “Duhet të përpiqemi që të vazhdojmë më tej reformat, nuk është e mjaftueshme që vetëm të konsiderojmë sukseset, por është e domosdoshme ta shikojmë realitetin ashtu siç është me gjithë problemet që ka, që t’i japim përgjigje familjeve shqiptare, problemeve të tyre ekonomike, të gjithë brezave në Shqipëri në mënyrë që ata të jenë pjesë dhe bashkudhëtarët tanë.”

Në këtë takim u theksua edhe bashkëpunimi i republikanëve në arritjet e reformave qeverisëse. Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, anëtare e kryesisë republikane foli gjithashtu edhe për hapat që po ndërmerren  në reformimin e dikasterit që ajo drejton./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi