Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur paraditen e sotme. Kjo mbledhje e socialistëve drejtohet nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, ndërsa kryeministri Rama nuk është i pranishëm.
Në një një lidhje direkte për Klan News, gazetarja Klesiana Omeri ka mësuar se në fokus të kësaj mbledhje do të jetë i gjithë aktiviteti parlamentar dhe vëmendja që do të ketë mazhoranca përgjatë kësaj jave.
Sfida kryesore mbetet jo vetëm zgjedhja e anëtarësisë për Komisionin e Posaçëm Anti-Korrupsion, por edhe mundësia për dialog me opozitën duke pasur parasysh se socialistët e votuan të vetëm ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion javën e shkuar.
Gjatë kësaj mbledhje pritet të zhvillohen edhe diskutime për Reformën Zgjedhore, pasi grupi i punës ende nuk ka arritur të ketë finalizim të disa prej çështjeve kryesore që lidhen me votën e emigrantëve dhe mënyrën si mund të votojë diaspora. Ende nuk ka produkt final për të cilën mund të ketë dakordësi mes palëve./tvklan.al