Komisioni Hetimor për zgjedhjet, zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e radhës e cila u zhvillua me tone më të qeta. Partia Socialiste depozitoi dy kërkesa për informacion nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Në fokus të mazhorancës është struktura e ngritur nga PD-ja për mbrojtjen e votës. Zv/kryetari i këtij Komisioni, shtroi të gjitha pyetjet ndaj Bashës dhe Nanos.
Nga ana tjetër u miratuan edhe ekspertët e Komisionit dhe ata do të jenë : Silva Caka, Marinela Ziu, Marash Logu nga ana e opozitës dhe Eridian Salianji e Mariglen Legisi nga ana e mazhorancës. Mbledhja e radhës u caktua që të mbahet javën e ardhshme të mërkurën e 10 Nëntorit në orën 17:00.
Parashtrimi i kërkesave të Partisë Socialiste:
Toni Gogu: Kemi mbledhur kërkesat dhe i kemi grupuar. Kemi dy kërkesa. Kërkesa e parë është për PD të Shqipërisë, kryetarin e saj, zotin Lulzim Basha. Kërkojmë një informacion të plotë dhe më të detajuar për sa më poshtë: Kur është themeluar struktura e mbrojtjes së votës (SMV)? Me çfarë platforme është themeluar kjostrukturë? Cili është akti që e ka themeluar strukturën në fjalë dhe kush e ka nënshkruar atë? Si janë organizuar nga qendra e partisë dhe deri në njësinë bazë të saj kjo strukturë? Cila ka qenë skema organizative e Strukturës së Mbrojtjes së Votës? Si është financuar SMV? Mbi cilat kritere është bërë rekrutimi i drejtuesve të SMV dhe anëtarëve të saj? Sa ka qenë numri i anëtarëve? Cilët kanë qenë personat drejtues për çdo qark? Cila ka qenë lista e anëtarësisë për çdo qark? Si është normuar veprimtaria e tyre dhe secilit anëtar të SMV? A është analizuar në strukturat e PD-së, veprimtaria e SMV? A janë analizuar incidentet ku është përfshirë kjo strukturë? A ka patur konstatime për shkelje të ligjit nga anëtarë të strukturës? A ka patur përpjekje nga drejtuesit dhe strukturat drejtuesee për korrigjimin, apo konstatimin e akteve të kundraligjshme? A ekziston sot SMV? Nëse jo, a ka skema të gatshme që parashikojnë rithirrjen e kësaj strukture? Kërkesa e dytë është për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së SHTETIT dhe për zotin Gledis Nano, drejtorin e përgjithshëm. Pyetja e parë është, a ka qenë në dijeni policia e Shtetit për ngritjen e SMV? A është informuar nga njësi të tjera, ligjzbatuese mbi ngritjen e SMV-së? Sa është numri i ngjarjeve që lidhen me krimet zgjedhore të regjistruara nga Policia e Shtetit? Sa prej këtyre ngjarjeve janë konstatuar kryesisht nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe sa prej tyre ka patur kallëzim nga shtetasit? Në sa prej ngjarjeve rezuluton përfshirja e SMV? Në cilat qarqe kanë ndodhur ngjarjet në fjalë? Cilat prej ngjarjeve që lidhen me krimet zgjedhore apo të tjera janë kallëzuar nga SMV apo nga shtetas që kanë qenë të lidhur me këtë strukturë? A ka patur bashkëpunim mes SMV dhe Policisë së Shtetit? A ka patur ndonjë bashkëpunim të Pd me policinë e Shtetit? Nëse po cilët kanë qenë personat e kontaktit nga ana e PD? A ka ptur që pas kallëzimit në polici është vendosur të mos hetohen më tej sipas parashikimeve ligjore? Nëse po në sa nga këto ngjarje ka rezultuar SMV? Gjatë hetimeve që ka kryer Policia e Shtetit ka rezultuar se personat e përfshirë në ngjarje kanë qenë të armatosur? Nëse po, në sa nga këto ngjarje ka rezultuar SMV dhe si është e përfshirë kjo e fundit? Përshkruani në mënyrë të detajuar të gjitha ngjarjet që lidhen me krimin zgjedhor dhe të cilat kanë pasur hetime nga Policia e Shtetit pavarësisht nëse ngjarja është referuar ose jo në prokurori?
Enkelejd Alibeaj: Vetëm sqarime zoti Gogu, ju bëtë 2 kërkesa, thjesht do doja të sqaroja në aspektin juridik. Janë kërkesa për informacion? Është kërkesë për t’i thirrur si dëshmitarë? Apo është kërkesë për të administruar dokumente?
Toni Gogu: Për sqarim, zoti kryetar meqenëse kërkesa jonë i njoftohet komisionit tonë, juve patjetër që do ta kuptoni se çfarë kërkojmë ne kur të shihni lëndën. Është kërkesë për informacion drejtuar dy institucioneve që drejtohen nga ata zotërinj.
Ferdinand Xhaferraj: I nderuari zoti Gogu paraqiti në mënyrë shteruese dy kërkesat e PS. Në ato dy kërkesa u përmend më shumë se 40 herë PD dhe mbrojtja e votës. Kjo do të thotë që përgjatë gjithë kohës, PD ka qenë në mbrojtje dhe zotërinjtë përballë kanë qenë në sulm./tvklan.al